Rivlerësimi i pronës, dyndje në zyrat e Hipotekës

30/05/2017 00:00

Një ditë para përfundimit të afatit për rivlerësimin e pronave, në dyert e qendrës ku kryhen aplikimet, qytetarët presin me orë të zgjatura në radhë për të përfituar nga mundësia e fundit e rivlerësimit me taksa të ulëta.

“Unë kam prerë një biletë dhe vetëm për sot jam numri 500 në radhë”, thotë një qytetar.

“Këtu është skandal. S’kemi parë ndonjëherë të rrijë populli kaq shumë këtu. Me orë të tëra”, tha një qytetare.

Në muajin shkurt, qeveria e shtyu afatin deri më 31 maj për shkak të fluksit të lartë të qytetarëve që kërkonin të rivlerësonin pronën. Por qytetarët kërkojnë ende kohë…

“Kam dy muaj që qëndroj këtu. Problemet kanë ardhur që nga hipoteka, sepse na kanë zvarritur. Qeveria na e bëri njëherë një nder, që na e hapi dritaren për hipotekim, tani ta shtyjë edhe pak, sepse ne të pallateve ngelemi. Zona ku jam unë, te Fresku, është e gjitha e pahipotekuar”, thotë qytetari.

Nga muaji shtator, kur nisi procesi e deri më tani, vetëm në Tiranë janë kryer rreth 30 mijë aplikime për rivlerësim.

“Ne kemi qenë të hapur edhe ditëve të shtuna, nga muaji shtator e deri më sot që jemi në muajin maj. Por si gjithmonë, qytetarët e lënë për në momentin e fundit”, thotë Gledis Hajdini, përfaqësuese e ADISA-s.

Në mungesë të një mundësie tjetër, dita e fundit për rivlerësimin e apartamenteve dhe pronave të tjera me çmimet e tregut, duke ulur barrën fiskale që qytetarët paguajnë në rast shitjeje, është 31 maji.

Sipas ligjit, shitja e një prone i nënshtrohet taksës 15% mbi diferencën e çmimit të shitjes, me atë të blerjes. Meqënëse shumë prona në Shqipëri janë blerë në kohën kur çmimet ishin shumë të ulëta, Ministria e Financave u mundësoi qytetarëve të rivlerësojnë këto prona, duke paguar vetëm 2%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA