Panama, vdes diktatori Manuel Noriega

30/05/2017 00:00

Manuel Noriega, ish-sundimtari “i hekurt” i Panamasë i rrëzuar nga pushteti prej Amerikës, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare.

Kohët e fundit i ishte nënshtruar një operacioni, pas hemorragjisë së pësuar në vazhdën e një ndërhyrjeje kirurgjikale në tru.

Ish agjenti i CIA-s, i kthyer në diktator, kishte qenë aleat kyç i Shteteve të Bashkuara, por u përmbys pikërisht prej tyre, kur trupat amerikane pushtuan vendin në vitin 1989 dhe e dërguan në burg për trafik droge, pastrim parash e zhdukje të kundërshtarëve politikë.

I lindur në Panama në vitin 1934, Noriega nuk e njohu kurrë të atin. Ai u rrit nga tezja e vet në një lagje të varfër të kryeqytetit. Pasi përfundoi studimet në “US School of the Americas”, ai pati një ngjitje të beftë në karrierën e vet ushtarake, kur zëvendësoi udhëheqësin Omar Torrijos, të vrarë në një aksident ajror.

Nën komandën e Noriegës, Panamaja ishte aleate e Uashingtonit gjatë konfliktit të tij me Nikaraguan. Por më vonë, gjenerali do të gjente miqtë e rinj e do të kthehej në një kundërshtar të egër të Amerikës.

Në vitin 1988, Agjencia amerikane e Luftës kundër Drogës “DEA” e akuzoi për trafik të lëndëve narkotike dhe pastrim parash. Një vit më vonë, Noriega zeroi rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe urdhëroi rrahjen e kandidatëve të opozitës.

Pas disa muajsh, Asambleja Kombëtare e kontrolluar prej tij deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Panamaja ishin në gjendje lufte, e kaq mjaftoi që presidenti i atëhershëm amerikan, George Bush, të dërgonte trupat ushtarake, në vendin tashmë kundërshtar të hapur.

20 dhjetorin e atij viti, 27 mijë ushtarë amerikanë morën nën kontroll kryeqytetin. Noriega u dorëzua janarin e vitit 1990 e u dërgua në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij, që i sollën dënimin me 17 vite burg.

Një nënkomitet i Senatit amerikan e pati përshkruar dikur marrëdhënien e Uashingtonit me të, si njërin prej dështimeve më të mëdha të politikës së jashtme të SHBA-ve.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta