
Gjykata ka vendosur me kërkesë të prokurorisë së Vlorës nën sekuestro dy parcela toke me sipërfaqe totale 52 mijë m2 në zonën e Zvërnecit, me një vlerë prej 2 milionë euro.
Këto prona dyshohen të jenë përftuar në bazë të dokumentacionit të falsifikuar. Sipas hetimeve të Prokurorisë bëhet fjalë për dy vendime gjyqësore të 1996 dhe 1997 të cilat kanë qënë të falsifikuara dhe janë futur në kundërshtim me ligjin në arkivën e Gjykatës së Vlorës.
Nga hetimi është provuar se pasuria e mësipërme me sipërfaqe 52.000 m2 është regjistruar më datë 21/03/2013, pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë. Regjistrimi i kësaj pasurie është kryer mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, të këtyre dy vendimeve.
Pas regjistrimit të kësaj pasurie, e cila kap vlerën e mbi 2 milion Euro, janë kryer veprime juridike mbi këtë pasuri, e konkretisht ndarje, shitje dhe dhurime, me qëllim fshehjen e paligjshme të origjinës së kësaj pasurie. Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për pasuritë e paluajtshme me sipërfaqe 52.000 m2.
Top Channel