Presidenti francez Emanuel Macron e ka cilësuar një bashkëbisedim të sinqertë, atë që zhvilloi me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në përballjen e tyre të parë kokë më kokë.
Sipas kreut të Elizesë, mosmarrëveshjet mes 2 vendeve kishin qenë në fokus të takimit të mbajtur në pallatin e Versajës, por ai shtoi se ishte i interesuar të bashkëpunonte me Moskën lidhur me Sirinë, në betejën kundër terrorizmit.
Ndërsa numri një i Kremlinit tha se dëshironte të forconte lidhjet ekonomike me Francën, pas kufizimeve të viteve të fundit. Të dy liderët përcollën sinjale për çeljen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet ruso-franceze, të cilat kanë qenë nën një presion të konsiderueshem kohët e fundit.
Tensionet mes tyre janë rritur për shkak të konflikteve në Ukrainë dhe Siri, ku Franca dhe Rusia mbështesin palë të kundërta. Gjithashtu ekipi elektoral i Macron pati akuzuar agjentët rusë për sulme kibernetike kundër tyre, gjatë fushatës zgjedhore për presidencën, kur Putin dukej se mbështeste nacionalisten Marin Le Pen.
Lideri i ri francez ka folur në të kaluarën për rëndësinë e komunikimit me Rusinë, edhe pse sipas tij nuk duhej hequr dorë nga gjuha e ashpër. Edhe gjatë samitit të G7-ës në Siçili, ai e vuri theksin tek rëndësia e bisedimeve me Moskën, pasi siç tha, ekzistojnë një sërë çështjesh ndërkombëtare që nuk mund të zgjidhen pa një dialog të fortë me të.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Francës u krisën nën presidencën e François Hollande. Putin anuloi një vizitë në Paris, në muajin tetor, pasi ish kreu i Elizesë tha se Rusia mund të përballej me akuzat për krime lufte për aksionet e saj në Siri.
Top Channel