Koreja e Veriut kreu testin e tretë raketor brenda tri javësh, e këtë herë Japonia zotohet për veprime konkrete, pasi raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi e shtetit komunist ra në oqean, më pak se 200 milje nga bregdeti i saj. Si Tokio, ashtu edhe Seuli reaguan menjëherë me indinjatë.
“Nga pikëpamja e sigurisë së anijeve dhe avionëve, ky lëshim është ekstremisht i rrezikshëm dhe një shkelje e qartë e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Absolutisht nuk mund t’i lejojmë të tilla provokime të Koresë së Veriut dhe protestojmë ndaj tyre, në mënyrën më të fortë të mundshme”, tha Yoshihide Suga, shef kabineti në Tokio.
“Po verifikojmë sesa lëshime janë bërë saktësisht, por duket se vetëm një raketë është hedhur. Ky veprim shihet si përpjekje për të ushtruar presion mbi Korenë e Jugut, që të ndryshojë politikën e saj ndaj Veriut”, tha Roh Jae-cheon, nga Shtabi i Përgjithshëm në Seul.
Krerët koreano-jugorë të Mbrojtjes shtojnë se Peniani do të përballet me ndëshkimin e rreptë të ushtrisë së fqinjit të tij jugor. Raketa e lëshuar së fundi besohet t’i përkasë serisë “Skud”. Sipas koreano-jugorëve, ajo ka fluturuar për gati 450 km dhe qëndroi në ajër pothuajse 6 minuta.
Tokio pretendon se raketa ra brenda zonës së saj ekskluzive ekonomike, një zonë ujore kjo që shtrihet për 200 milje detare nga bregdeti japonez.
Top Channel