Filipine, ngrihet flamuri i ISIS në Marawi. Ushtria shpall luftë

29/05/2017 00:00

Ushtria e Filipineve intensifikoi ndjeshëm operacionet në Marawi, për të dëbuar militantët që i kanë shpallur besnikëri Shtetit Islamik nga ky qytet në jug të vendit.

Prej 6 ditësh, ushtria lufton në rrugët e qytetit kundër terroristëve, që u shfaqën befas nga hiçi, duke shkaktuar kaos dhe duke terrorizuar popullsinë.

Bilanci i viktimave është ende i paqartë dhe flitet për më shumë se 100 të vdekur, pjesa më e madhe e të cilëve terroristë. Mediet raportojnë se nga qyteti Marawi, i cili gjendet në ishullin Mindano, me mijëra njerëz janë larguar për t’iu shpëtuar luftimeve.

Dhuna shpërtheu më 23 maj, kur ushtria nisi një operacion për të kapur apo eliminuar Isnilon Hapilon, një udhëheqës militant në Filipine, i cili vitin e shkuar u caktua si emiri i Shtetit islamik për Azinë Juglindore.

I rrethuar dhe në vështirësi, Hapilon i kërkoi ndihmë grupit “Maute”, një organizatë lokale islamike që është zotuar për besnikëri ndaj Shtetit Islamik dhe që dërgoi me qindra militantë në Marawi.

Mediet lokale publikuan foto të militantëve që ngritën flamurin e Shtetit Islamik në ndërtesat e qytetit, pamje që siç duket alarmuan tej mase autoritetet, që janë përgjigjur me “grusht të hekurt”. Ushtria po përdor helikopterët dhe artilerinë për të bombarduar militantët, madje duke injoruar edhe sigurinë e civilëve të pafajshëm.

Prania e grupeve islamike dhe kriminale në Filipine, Malajzi dhe Indonezi nuk është asgjë e re, por kurrë më parë nuk ishte kryer një sulm kaq i guximshëm prej tyre, duke rritur shqetësimin se luftëtarët besnikë ndaj Shtetit Islamik po shtojnë ndikimin e tyre në juglindje të Azisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta