Hetimet në Manchester, publikohen pamjet e fundit të kamikazit

28/05/2017 00:00

Kapelë në kokë, syze dhe një xhup të madh, nën të cilin ka fshehur brezin e mbushur me eksplozivë. Policia britanike publikoi fotot e kamikazit Salman Abedi, të marra nga kamerat e sigurisë mbrëmjen e sulmit në “Manchester Arena”.

Plot 14 zona janë duke u kontrolluar nga forcat e rendit dhe 11 vetë vazhdojnë të mbeten në paraburgim, nën dyshimin e përfshirjes në komplote terroriste. Identitetin e autorit të sulmit, që mori 22 jetë njerëzish, kryesisht të rinj e fëmijë, autoritetet britanike të sigurisë e kanë mësuar vetëm dy orë pas sulmit, por për arsye hetimi zgjodhën të mos e bënin menjëherë publik.

Tani niveli i kërcënimit në vend është ulur, nga “kritik” në “të rëndë”, dhe ushtarët e dislokuar pas ngjarjes në mbështetje të forcave të policisë, nisur nga mbrëmja e së hënës do të nisin gradualisht tërheqjen.

Efektivë të armatosur, megjithatë, kanë vazhduar të mbrojnë qindra shfaqje të organizuara në mbarë vendin përgjatë fundjavës. Shtim të sigurisë pati ndër të tjera në “Wembley” për finalen e “FA Cup” dhe në “Hampden Park” për finalen e “Scottish Cup”.

Një numër i madh policësh ishin në detyrë për të ruajtur 50 mijë adhuruesit e mbledhur në koncertin e “The Courteeners”, e pari ngjarje muzikore e mbajtur në qytet që prej shpërthimit vdekjeprurës.

Sipas kryeministres Theresa May, ulja e nivelit të rrezikut i detyrohet pikërisht aktivitetit të shtuar policor. Burime policore sqarojnë se, hetimi mbi sulmin e 22 majit po ecën mirë. Ndër detajet e tjera të zbuluara prej tyre mbi Abedin, ishte edhe ai i lëvizjeve të tij përpara ngjarjes.

Apartamenti i tij në qendër të qytetit ishte një nga vendet e fundit, ku kishte shkuar i riu me origjinë libiane, por i lindur në Britani, dhe pikërisht aty besohet se i ka dhënë rregullimin e fundit brezit me lëndë plasëse që mbante në trup.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta