Dhëndri i Trump, telefonata të pazbuluara më parë me rusët

28/05/2017 00:00

Dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, njëkohësisht këshilltar i afërt i tij, Jared Kushner ka pasur të paktën 3 kontakte të mëparshme të pazbuluara me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara, gjatë dhe pas fushatës presidenciale të vitit 2016. Lajmi konfirmohet për “Reuters” nga 7 zyrtarë aktualë apo ish-zyrtarë.

Mes kontakteve përfshihen dy telefonata mes prillit dhe nëntorit të vitit të kaluar, deklarojnë dy nga burimet. Ndërkohë, qysh herët këtë vit, Kushner është vënë në fokus të hetimit të FBI-së, nëse ka pasur ndonjë bashkëpunim mes fushatës së Trumpit dhe Kremlinit, thonë dy burime të tjera, njëri zyrtar aktual dhe tjetri ish-zyrtar ligjzbatues.

Kushner u vu fillimisht në qendër të vëmendjes së hetuesve të FBI-së vitin e kaluar, kur nisën të vëzhgojnë me imtësi lidhjet e ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michal Flynn, me zyrtarë rusë. Megjithatë, ndërsa FBI-ja po heton kontaktet e Kushnerit me Rusinë, ai ende nuk është objektiv i atij hetimi, thotë një zyrtar ligjzbatues aktual.

Informacionet e fundit mbi dy telefonatat, sikurse edhe detaje të tjera të zbuluara nga “Reuters”, hedhin dritë ndaj asaj se kur dhe pse Kushner tërhoqi vëmendjen e FBI-së, ndërsa tregojnë gjithashtu se kontaktet e tij me të dërguarin rus, Sergei Kislyak ishin më të gjera nga sa kishte dijeni Shtëpia e Bardhë.

“NBC Neës” raportoi të enjten se Kushner ndodhet nën mbikëqyrje nga FBI-ja, në atë që rezultoi të ishte sinjali i parë i qartë se hetimi, që ka nisur prej muajit korrik, ka mbërritur tashmë në rrethin e ngushtë të presidentit Trump.

Byroja Federale e Hetimit refuzoi të jepte komente, ndërsa Ambasada e Rusisë në SHBA tha se është politikë e saj që të mos komentojë mbi kontaktet individuale diplomatike. Shtëpia e Bardhë gjithashtu nuk reagoi për të komentuar. Avokatja e Kushnerit, Jamie Gorelick, tha se Kushner nuk kujton ndonjë bisedë telefonike me Kislyak mes muajve prill dhe nëntor.

“Kushner ka ndërmarrë mijëra telefonata gjatë kësaj periudhe. Ai nuk ka ende një kujtesë të ruajtur të këtyre thirrjeve, siç përshkruhet. Ne i kemi kërkuar Reutersit të dhëna për të tilla telefonata të pretenduara, pasi duhet të njihemi me to dhe pastaj të përgjigjemi, por nuk e kemi marrë ende një informacion të tillë”, tha avokatja.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta