Iran, Rouhani: Të zhvillojmë bashkëpunimin me Rusinë

27/05/2017 00:00

Presidenti iranian Hassan Rouhani ka deklaruar këtë të shtunë se ka në plan që marrëdhëniet me Rusinë të zgjerohen më tej gjatë mandatit të tij të dytë.

“Më i vendosur se kurrë, Irani është i përgatitur të nxisë marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale me Rusinë”, ka thënë Rouhani në një bisedë telefonike të zhvilluar sot me homologun rus Vladimir Putin.

I cituar nga agjencitë vendase të lajmeve, Rouhani ka thënë se, “në një të ardhme të afërt do të shohim një bashkëpunim më të ngushtë dypalësh”.

Rouhani gjithashtu ka kërkuar mbështetjen e Rusisë për të promovuar paqen në Siri dhe për të luftuar terrorizmin, duke e cilësuar bashkëpunimin e deritanishëm si “shumë domethënës”.

Nga ana e tij, Putin i ka bërë Rouhanit urimet e tij për rizgjedhjen, duke u shprehur se rezultatet e zgjedhjeve presidenciale treguan se qytetarët iranianë mbështesin masat ekonomike dhe sociale të ndërmarra prej tij, si dhe planet rajonale e ndërkombëtare.

Rouhani doli fitues në zgjedhjet e mbajtura javën e kaluar, duke siguruar një mandat të dytë në krye të shtetit iranian me 57 për qind të votave.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta