
“British Airways” ka anuluar të gjitha fluturimet nga aeroportet Heathrow dhe Gatwick për shkak të një problemi global me kompjuterat.
Një problem i madh në sistemin IT ka shkaktuar pengesa të shumta për fluturimet tona në mbarë botën – tha kompania në një deklaratë për shtyp.
Kompania kërkoi ndjesë për problemin dhe tha se për momentin nuk kishte të dhëna që të sugjeronin për një sulm kibernetik.
Autoritetet e aeroportit Heathrow kanë deklaruar ndërkohë se po punojnë ngushtë me kompaninë për të zgjidhur problemet.
Të gjithë pasagjerët e prekur nga ky bllokim, që koinçidon edhe me fundjavën e parë të pushimeve të mesit të vitit për shumëkënd në Britani, do të kenë mundësinë e shtyrjes së biletave apo rifinancimit të tyre.
Kompania më herët kishte thënë se fluturimet do të anuloheshin deri në orën 18.00 të pasdites, sipas orës së Grinuiçit, por vendosi të anulonte fluturimet përgjatë gjithë ditës dhe i kërkoi pasagjerëve të mos paraqiteshin në aeroporte.
Të tjera kompani ajrore që fluturojnë nga ose drejt këtyre aeroporteve, nuk kanë raportuar probleme. Sipas ekspertëve, një problem i kësaj përmase është i jashtëzakonshëm dhe rrallë herë ndodh që të shihet në industrinë e aviacionit.
Problemet prekën qendrat operative të “British Airlines” dhe faqen e saj të uebit dhe disa udhëtarë pretendonin se nuk mund të bënin “check in” në aplikacionin e tyre në telefon.
Top Channel