Kongresmeni republikan, fitore pas dhunës ndaj gazetarit

26/05/2017 00:00

Kandidati republikan Greg Gianforte e fitoi vendin në Kongres, edhe pse disa orë përpara ishte akuzuar për agresion ndaj një korrespondenti të gazetës britanike “The Guardian”.

Gazetari Ben Jacobs shkroi mbrëmjen e së enjtes, në një mesazh në “Twitter” se, Gianforte “e kishte përplasur në tokë, e i ka thyer edhe syzet”.

Ngjarja ndodhi në selinë e fushatës së kandidatit, në qytetin e Bozemanit. Vet njeriu që do të përfaqësojë në Kongres shtetin e Montanës gjeti vend në fjalimin e fitores për të përcjellë edhe një apologji.

“Mbrëmjen e kaluar nxora një mësim. Bëra një veprim, të cilin nuk e kthej dot mbrapsht. Nuk jam krenar për atë që ndodhi. Nuk duhej të kisha reaguar në atë mënyrë, e për këtë më vjen shumë keq”, tha Greg Gianforte.

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan ishte shprehur përpara shpalljes së rezultatit se, Gianforte “duhej të kërkonte ndjesë”. Por fitoren e tij, sipas Ryan, nuk e zhbën asgjë, sepse është zgjedhur nga populli i Montanës.

Udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi nuk nguroi të shfrytëzonte rastin për të shpotitur një rival edhe më të madh.

“Gianforte kërkon të imitojë presidentin Trump, – u shpreh ajo, – sepse ai është modeli i tij”.

“The Guardian” publikoi regjistrimin audio të incidentit, i cili ndodhi në momentin kur gazetari po kërkonte reagimin e kandidatit mbi një analizë të Zyrës së Buxhetit të Kongresit, lidhur me projektligjin e republikanëve për Kujdesin Shëndetësor të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Gianforte nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarit Jacobs, e ndërkohë u dëgjua një përplasje e fortë, ndjekur nga britma të forta të kandidatit në drejtim të gazetarit dhe urdhrin e drejtuar atij për t’u larguar nga salla.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta