Gjermania gjobit prindërit që refuzojnë të vaksinojnë fëmijët

26/05/2017 00:00

Qeveria gjermane ashpërson qëndrimin ndaj prindërve që refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre, duke i gjobitur ata me shuma deri në 2.500 euro. Përhapja e epidemisë së fruthit, sipas ministrit të Shëndetësisë, Hermann Gröhe, e bën të nevojshme ashpërsimin e ligjit.

Gjatë një interviste për të përditshmen gjermane “Bild”, ministri theksoi se rastet e vdekjeve nga fruthi nuk mund të lënë indiferent askënd. Qeveria u ka kërkuar çerdheve e kopshteve të sinjalizojnë nëse prindërit nuk paraqesin një shënim nga mjeku, që provon vaksinimin.

Në bazë të ligjit të rishikuar, fëmijët e atyre prindërve që nuk do ta bëjnë këtë do të përjashtohen nga çerdhet apo kopshtet.

Një nënë e 3 fëmijëve humbi jetën si pasojë e fruthit në qytetin e Essenit këtë javë. Deri më tani, gjatë këtij viti, në Itali janë regjistruar po aq raste me fruth sa në vitin 2016.

Javën e kaluar, edhe qeveria italiane vendosi që prindërit duhet të vaksinojnë fëmijët e tyre kundër 12 sëmundjeve, para se t’i regjistrojnë ata në shkollat shtetërore. Mes tyre përfshihet fruthi, poliomeliti, kolla e mirë dhe hepatiti B.

Deri në mesin e muajit prill, në Gjermani u shënuan 410 raste me fruth, krahasuar me 325 rastet për të gjithë vitin 2016. Autoritetet kanë paralajmëruar se, përpos fëmijëve, edhe të rriturit e lindur që prej vitit 1970 duhet të vaksionohen ndaj fruthit, nëse nuk e kanë bërë vaksinën ose nëse janë vaksinuar vetëm një herë.

Zyrtarët italianë kanë ngritur zërin kundër atyre që i quajnë teori “antishkencore”, të cilat kanë ndikuar në rënien e nivelit të vaksinimit. Mes këtyre teorive përfshihet edhe lidhja e bërë mes vaksinës së MMR-së dhe autizmit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta