
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi këtë të mërkurë, me 31 vota pro planin e biznesit të hartuar nga ekspertët e bashkisë, UKT-së dhe USAID që i hap rrugë projektit të furnizimit me ujë 24 orë në ditë të Tiranës brenda 5 viteve.
Në të u përfshinë dhe propozimet e ardhura nga PDIU dhe LSI, me këshilltarët e kësaj të fundit që bënë të mundur dhe kourimin e nevojshëm në sallë. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi rëndësinë e këtij projekti.
“Në një situatë ku kemi bërë maksimumin, ku nga 7 orë ujë në ditë e çuam në 13 orë pa lëvizur asnjë gjë, kemi shansin në dorë. Ky nuk është vendim për frikacakët, ky është një vendim për njerëz të guximshëm. Nëse doni të keni guxim si ata në Korçë, por sigurisht në një nivel mëtë ulët financiar, do ta bëjmë punën si të tyren. Por trimëritë nuk janë si të tyret sepse një akt trimërie do të thotë të shpëtojmë nga pompa që është kosto më vete, të shpëtojmë nga blerja e ujit në markete që është kosto më vete, të shpëtojmë nga energjia elektrike për të përdorur pompën. Të gjitha këto janë kosto, sepse njerëzit mendojnë se kosto është vetëm fatura e UKT-së. Kosto janë të gjitha këto shpenzime që e kanë bërë të pamundur msionin për 24 orë ujë në Tiranë”, deklaroi Veliaj.
Ndërkaq, këshilltarët demorkatë, pasi hynë në sallën e mbledhjeve vendosën ta bojkotonin atë. Leonard Olli akuzoi LSI si të përfshirë në pazare.
“Është një veprim i turpshëm. Më vjen keq që ta pohoj, por është një pazar që vijon të zhvillohet në emër të opozitës dhe sot më shumë se kurrë u pa qartë se kush janë opozitarët dhe kush pazarxhinjtë me emrin opozitë”, tha Olli.
Top Channel