
Prokuroria e Përgjithshme mbylli hetimet ndaj deputetit të Partisë Socialiste Alfred Peza për t’ia dorëzuar dosjen kundër tij gjykatës së Lartë mbi dyshimet e fshehjes së të ardhurave, pastrim të produkteve penale dhe deklarim i rremë i pasurive.
Siç ishte njoftuar nga prokurorët për të marrë dijeni mbi hetimet, deputeti Peza u paraqit në prokurori me avokatin në krah.
Për shkak se është deputet, Peza do të gjykohet në juridiksion fillestar nga gjykata supreme, e cila pak ditë më parë rrëzoi kërkesën e organit qëndror të akuzës për të vendosur sekuestro ndaj pasurive të deputetit.
“Për mua është një rast i lehtë për t’u fituar, i ndërtuar keq nga prokuroria, qoftë dhe nga materia përkatëse e zgjedhur. Është një fitore e sigurtë”, deklaroi avokati Ardian Visha.
Megjithatë Peza ka zgjedhur të komunikojë përmes Facebook për hetimet të cilat i konsideron një farsë që ka filluar të çmontohet menjëherë pas tërheqjes së tij nga kandidimi për deputet për zgjedhjet e 25 qershorit.
“Ky ishte fundi i një filmi që unë e kisha parë përpara se Prokuroria e Përgjithshme të vihej në lëvizje”, shkruan Peza, “por gjatë këtyre muajve që më akuzuan nuk erdhën përballë meje të mi thoshin përballë sepse e dinë që nuk kam bërë asnjë krim”, komentoi Peza.
Top Channel