Shqipëria dhe Italia; Koha e Luftës së Ftohtë

24/05/2017 00:00

Italia e popullit të thjeshtë në ndryshim nga ajo politike kishte shumë pak njohuri për Shqipërinë gjatë Luftës së Ftohtë. Ne ishim për ta një vend ekzotik, pikërisht për shkak të së panjohurës.

Ndërsa Italia politike kishte një besim pothuajse naive se pas prishjes me Bashkimin Sovjetik gjërat do të shiheshin pozitivisht, për një vend të cilin ajo e donte të pacoptuar.

“Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë” ishte konferenca historike në të cilën ligjëruan studiues shqiptarë dhe italianë duke dashur të hedhin një themel në një periudhë historike të studiuar shumë pak deri më sot. Përgjegjësi i projektit Paolo Rago rrëfen këndvështrimin e tij.

“Italia politike kishte interes ndaj Shqipërisë, sepse Shqipëria ishte duke dalë nga traktati i Varshavës. Ngeli si një vend, që në një farë mënyre mund t’i bënte pengesë bllokut lindor”, shprehet Dr. Paolo Rago.

“Në nivel personal më kujtohet Radio Tirana, kur gjatë pasditeve të gjata në shtëpinë e nënës time kishim krijuar zakonin të mblidheshim bashkë në orën 19:00 për të dëgjuar buletinin në gjuhën italiane. Përpiqeshim të imagjinonim, çfarë pritshmërish kishin gratë dhe burrat shqiptarë, çfarë vishnin, çfarë ëndërronin, çfarë programesh shihnin në televizion”, thotë Alberto Cutillo.

Por në ndryshim nga ata, ne në Shqipëri e njihnim shumë mirë Italinë nëpërmjet televizorit. Festivalet, spektaklet apo programet e RAI-t ne i arrinim nëpërmjet metodës artizanale të antenave kanaçe. Ndërsa nga pikëpamja ushtarake ish-presidenti Alfred Moisiu kujton.

“Në Pasha-Liman, ku ne kishim marrëdhënie me sovjetikët, ishin dislokuar 12 nëndetëse. Marina ushtarake italiane dispononte vetëm 3-4”, kujton Moisiu.

Top Channel