Ligji i ri për reklamat elektorale, pasaktësitë e bëjnë nul

24/05/2017 00:00

Ndryshimi me shpejtësi i ligjit për partitë politike, ku detyrohen televizionet private të transmetojnë pa pagesë reklamat e partive politike, ka probleme të rënda ligjore.

Ndryshimet e ligjit janë hartuar, miratuar në komisionin e ligjeve, votuar në Parlament, dekretuar nga presidenti dhe botuar në fletoren zyrtare në një hark kohor rekord.

Brenda tij ndodhet edhe pasaktësia juridike që e ben të pavlefshëm. Në bazë të nenit 84 të Kodit Zgjedhor në fuqi, reklamat e partive politike në fushatë janë me pagesë.

Ndryshimi i ligjit për partite politike, duke e përcaktuar se reklamat e partive gjatë fushatës do të transmetohen falas, e ka detyruar Kuvendin në bazë të marrëveshjes PS-PD të ndryshojë edhe një tjetër ligj, brenda së njëjtës natë, atë për mediat audiovizive.

Në ligjin për mediat, në nenin 39, për reklamat politike thuhet: “Gjatë përiudhës zgjedhore transmetimi i reklamave politike bëhet në bazë të dispozitave të Kodit Zgjedhor”.

Por në Kodin Zgjedhor shkruhet se reklamat janë me pagesë. Për të shmangur këtë përcaktim të nenit 39 të ligjit të mediave, gjatë natës së 22 janarit mazhoranca e re, krahas ndryshimit të ligjit për partitë politike, ka ndryshuar pikërisht edhe nenin 39 të ligjit të medias, duke përcaktuar:

“Gjatë periudhës zgjedhore transmetimi i reklamave politike bëhet sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për partitë politike”.

Ky ndryshim i nenit 39 i detyron mediat që për reklamat e partive t’i referohen si Kodit Zgjedhor, edhe Ligjit për partitë politike. Problemi qëndron në faktin se në Kodin Zgjedhor përcaktohet që reklamat janë me pagesë, ndërsa në Ligjin e partive politike të ndryshuar këtë të hënë e kanë bërë që reklamat e partive të transmetohen falas.

Mediat do të zgjedhin të zbatojnë Kodin Zgjedhor, sepse është ligj me shumicë të cilësuar dhe prevalon mbi ligjet e thjeshta, ndërsa partitë do të përpiqen të zbatojnë Ligjin për partitë politike, që të marrin reklamat falas.

Juristët thonë se ndryshimi i Ligjit për partitë politike, pa ndryshuar edhe dispozitën e Kodit Zgjedhor, e bën nul atë dhe për rrjedhojë të gjitha palët duhet të zbatojnë Kodin Zgjedhor në fuqi.

Top Channel