
Gjykata e Lartë shpalli fajtor kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili sipas saj ka shpifur në dëm të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Procesi, i cili ka gati dy vite që po zgjat, u mbyll me dënimin me gjobën prej 50 mijë lekësh të Palokës.
Në vitin 2015, Edi Paloka u padit nga Tahiri, pas deklaratave të tij nga selia e Partisë Demokratike, që e akuzonin ish-ministrin si të lidhur me krimin.
Ky është vendimi i dytë i dhënë nga Gjykata e Lartë kundër Palokës, i cili është dënuar gjithashtu me gjobë, por për shpifje kundër kryeministrit Rama.
Tahiri reagoi në Facebook me këtë postim: “Një gjyq i stërzgjatur, më në fund i fituar. Një tjetër artist shpifjesh, më në fund i dënuar. Në #shqipërinëqëduam nuk ka vend edhe për ata që punojnë edhe për ata që gënjejnë. Shyqyr që drejtësia e qytetarëve nuk vonon sa drejtësia e gjyqtarëve. Ndaj, #shiheminë25”.
Ndërsa kryeministri Edi Rama shkruan në postimin e tij: “Një lajm i mirë ndëshkimi i radhës nga Gjykata e Lartë për shpifësin profesionist të PD. Por, nuk kemi parë gjë akoma, po vjen Vetingu”.
Top Channel