Veliaj: Nga sot banorët të aplikojnë për Fondin e Komuniteteve

23/05/2017 00:00

Duke filluar nga dita e sotme banorët e Tiranës mund të aplikojnë për Fondin e Komunitetve. Kështu u shpreh kreu i bashkisë Erion Veliaj i cili inspektoi përfundimin e punimeve në rrugën “Kajo Karafili” në njësinë nr. 10.

“Sot është dita e parë e hapjes së aplikimeve për investimet në pallate dhe ashtu siç takuam këtu administratorin dhe i propozuam që sot të vijë me një aplikim ose për të veshur pallatin me kapotë, ose për një suva, ose për një bojë, ose për një rregullim tarrace apo çfarëdo lloj investimi, lulishtesh simpatike si kjo në sfond, Bashkia është gati të paguajë me 50%. Ndaj i bëj thirrje të gjithë administratorëve që të paraqiten në bashki. Nëse pallati nuk ka administrator, i ftoj banorët të zgjedhin administratorin, i cili është punëmbaruari i shumë halleve të atij komuniteti, që pastaj edhe Bashkia t’i përgjigjet financiarisht”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Kryebashkiaku u shpreh se Bashkia e Tiranës do të shfrytëzojë periudhën e verës për të investuar në të gjitha lagjet e Tiranës, përfshirë edhe ato të Njësisë Administrative Nr. 10.

“Kemi nisur një sërë investimesh në Njësinë 10. Në shumicën e këtyre netëve, duke filluar nga qershori deri në shtator, do të jemi duke bërë investime, kryesisht asfaltime. Arsyeja pse zgjedhim periudhën e verës është sepse nuk ka shi, sepse moti është i ngrohtë, asfalti ngjit, ndaj kërkoj bashkëpunimin e të gjithë banorëve”, tha Veliaj. Ai shtoi se me financat modeste të bashkisë, dashamirësia e njerëzve që dhurojnë diçka për qytetin, si në rastin e rrugës “Kajo Karafili”, është diçka që nuk i ka munguar kurrë shqiptarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA