Salman Abedi nuk kishte shumë që ishte kthyer nga Libia, ku kishte qëndruar 3 javë. 22-vjeçari që hodhi veten në erë në “Manchester Arena”, duke vrarë 22 vetë, thuajse të gjithë adoleshentë e fëmijë, mund ta ketë përgatitur sulmin nën drejtimin e një apo më shumë xhihadistëve.
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse Abedi është stërvitur në një kamp ekstremistësh, në vendin nga ku vinte familja e tij, e ku ISIS dhe al-Qaeda kanë lidhur aleancë për të luftuar forcat qeveritare.
Fqinjët flasin për një tip vetmitar, thuajse i padukshëm, i cili kohët e fundit kishte nisur të dilte pak më shpesh me shokët, e në shtëpi kthehej natën vonë. Nuk mungojnë ngjashmëritë me figurën e atentatorit terrorist që mbjell vdekjen në qytetet europiane, e që përshkruhet si personazh i izoluar, i margjinalizuar, ndonjëherë edhe i sjellshëm dhe i tërhequr.
Të vetmuar, megjithatë, këto njerëz janë vetëm në dukje, sepse pas tyre duket se qëndron një rrjet shumë më i gjerë nga sa mund të mendohet fillimisht. I biri i një punonjësi aeroporti, Salman ishte mik me Raphael Hostey, rekrutues i Shtetit Islamik, i vrarë në Siri në vitin 2016 gjatë një sulmi ajror.
Shërbimi sekret britanik “MI5” e kishte regjistruar emrin e tij. Një ditë përpara ngjarjes, i riu i lindur në Angli kishte udhëtuar drejt Londrës, ku mendohet se mund të jetë takuar me komplotistë të tjerë, ose me personin që i dha brezin e mbushur me eksplozivë.
Alarmi nga kërcënimi terrorist në Britani është ngritur sakaq në nivelin “kritik”, që do të thotë se sulme të tjera të së njëjtës natyrë janë të pritshme në shtetin-ishull. Pohimin e bëri kryeministrja Theresa May, që shtoi se do të dërgohet personel ushtarak për mbrojtjen e zonave kyçe, ku rrezikshmëria mund të jetë më e lartë.
“Ushtarët do të vendosen në vende publike, në mbështetje të forcave policore të angazhuara për mbrojtjen e publikut. Trupa ushtarake do të shihen tani edhe gjatë shfaqjeve të ndryshme, si për shembull koncerte. Ata do të jenë nën komandën e oficerëve të policisë”, tha May.
May këmbënguli se nuk dëshiron që këto masa t’i alarmojnë njerëzit, por i cilësoi si pjesë e një përgjigjeje të përmasave dhe ndjeshmërisë së duhur.
Top Channel