
Në krahun e djathtë të Edi Ramës në kabinetin qeveritar do të ulet një grua, Ledina Mandija. Por megjithëse kryeministri është një promovues i grave në drejtimin e punëve të shtetit, me Mandijën, Rama ka një historik të trazuar marrëdhëniesh për shkak të detyrës së mëparshme që ajo ka mbajtur gjatë qeverisë Berisha.
Një nga aktet e para që firmosi Edi Rama kur erdhi në pushtet ishte largimi nga posti i Avokates së Shtetit të Ledina Mandijës. Akt të cilin ajo e ankimoi dhe e fitoi në Gjykatën Administrative dhe më pas në Gjykatën e Lartë, ku bëri rekurs kryeministri.
Ledina Mandija e fitoi çështjen me Edi Ramën në 2015-n, por ky nuk është fundi i përballjes me qeverinë Rama. Zëvendëskryeministrja e re do të jetë rasti i parë në një qeveri, kur numri dy i qeverisë është i paditur penalisht për shpërdorim detyre nga partia në pushtet.
Kjo ndodhi në prill të 2017-s, pas përfundimit të punës së komisionit hetimor për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë tek CEZ. Një proces që Ledina Mandija e ndoqi si Avokate e Shtetit.
Gazmend Bardhi, ministri i ri i Drejtësisë, është një emër jo shumë i njohur për publikun, por shumë familjar tek rrethi i juristëve që përgatitën reformën në drejtësi.
Për rreth dy vjet, Bardhi, në rolin e ekspertit të Partisë Demokratike, hartoi çdo qëndrim ligjor që opozita mbajti për reformën në drejtësi. Këtu bën pjesë edhe ankimimi kundër ligjit të Vettingut në Gjykatën Kushtetuese, ku ai bëri mbrojtjen e qëndrimit të Partisë Demokratike.
Në propozimet “pikante” të opozitës është edhe ai i Avokatit të Popullit. Erinda Ballanca është një nga avokatet më të njohura në kryeqytet, shërbimet e të cilës janë kërkuar si nga Edi Rama, ashtu edhe nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha.
Ish-ministri i Drjetësisë, Eduart Halimi risolli në kujtesë nëpërmjet një psotimi kohën e komisionit hetimor “Olldashi kundër Ramës”, i cili kishte marrë atëherë avokate Erinda Ballancën. Ndoshta për herë të parë dhe të fundit. Sepse pas vitit 2005, Erinda Ballanca mbrojti Lulzim Bashën nga akuza e shpërdorimit të detyrës si ministër Transportesh.
Me familjen e Bashës e lidhi më vonë, gjatë qeverisjes Rama, edhe shembja e pallatit në Vlorë, ku përfshihej direkt vjehrri i kreut të opozitës. Por Erinda Ballanca ka lidhje të ngushta edhe me familjen Berisha. Ajo ishte avokatja e Sali Berishës në gjyqin me nënën e kryeministrit aktual, Aneta Rama, që e akuzoi Berishën për shpifje.
Por, mesa duket, shprehja “të shkuara të harruara” është më aktuale se kurrë, sepse me pranimin e propozimeve të Partisë Demokratike, kryeministri Rama ka pranuar të drejtojë kabinetin me 7 anëtarë teknikë që do të monitorojnë sjelljen e qeverisë në zgjedhje dhe mandati i të cilëve do të zgjasë deri në krijimin e qeverisë së ardhshme.
Top Channel