Kontrabanda e vajit, arrestohen 5 persona

22/05/2017 00:00

Pesë persona përfunduan në prangat e policisë me akuzën e kontrabandimit të pjesëve të këmbimit dhe lubrifikantëve për automjete.

Operacioni është zhvilluar në periferi të kryeqytetit, ku në bazë të hetimeve mallrat kontrabandoheshin nga Greqia me anë të autobusëve të linjës Athinë-Tiranë.

Policia sekustroi rreth 800 litra vaj lubrifikant i një cilësie të lartë dhe pjesë të tjera këmbimi automjetesh.

“Përmes autobusëve të linjës së Greqisë importohej lëndë në Shqipëri pa deklarimet përkatëse në pikat kufitare. Për të kamufluar veprimet e tyre, këto subjekte importonin sasi vaji që e deklaronin tek autoritetet doganore, për të fshehur më pas mallrat e tjera”, deklaron Marsel Dulaj, shef i Krimit Ekonomik, Tiranë.

Dy prej të arrestuarve janë shoferë të linjës Athinë-Tiranë, ndërsa të tjerët tregtarë të cilët dyshohet se organizonin aktivitetin e paligjshëm.

Dyshohet se kontrabanda zhvillohej prej kohësh dhe dëmet që i janë shkaktuar shtetit të jenë të mëdha, ndërsa vlera e mallit të sekuestruar përllogaritet rreth 20 mijë euro.

Top Channel