
Caktimi i datës së zgjedhjeve në ditën e Fitër Bajramit ka nxitur reagimin e komunitetit mysliman. Pas deklaratave të disa myftijve, mbrëmjen e së shtunës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë lëshoi një deklaratë ku përshëndet arritjen e konsesusit politik. Por…
“Zgjedhjet në ditën e Bajramit nuk do të kishte qenë një opsion i preferuar nga Komuniteti Mysliman, por duke pasur parasysh situatën dhe kushtet në të cilat u mor ky vendim, duke përfshirë shumë aktorë dhe faktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, na vë në pozicionin dhe para përgjegjësisë që festën e bekuar të Bajramit ta bëjmë bashkë me këtë hap vendimtar për të ruajtur stabilitetin e vendit”.
Komuniteti mysliman deklaron se gjatë Muajit të Ramazanit, që përkon me fushatën elektorale, myftijtë dhe imamët do të qëndrojnë larg ligjërimit politik apo shprehjes publike të preferencave të tyre politike. Gjithashtu Komuniteti mysliman ka edhe këshilla:
“Ftojmë të gjithë faktorët politikë në Shqipëri që të tregojnë qytetari dhe maturi përgjatë fushatës, e të bëjnë të mundur garantimin e një procesi parazgjedhor dhe zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës. Në mënyrë të veçantë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të mos bien prè e tundimit të shitblerjes së votës, apo të votimit nën kërcënime të natyrave të ndryshme”.
Më herët, myftiu i Shkodrës pati shprehur kundërshtitë e tij, që zgjedhjet përkonin me festën e Bajramit. Po ashtu reagoi edhe myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.
“Në kornizën fetare, përkimi i datës së zgjedhjeve dhe datës së Bajramit të Madh më 25 qershor, nuk ka asnjë arsye për të ushqyer ndonjë tendencë të veçantë, të çfarëdolloji qoftë”, tha Ylli Gurra.
Top Channel