
Fyerje dhe dhunë psikologjike, të cilat e kanë shtyrë dy herë deri në tentativë vetëvrasjeje.
Në këtë mënyrë përkufizohet jeta e një bashkëshorteje dhe vajzës së saj, të cilat prej vitesh vuajnë pasojat e kryfamiljarit, i cili vuan nga probleme serioze mendore.
Të paktën që nga viti 2012, kur mjekët konstatuan problemet mendore, kjo familje ka patur një jetë të vështirë. Institucionet mjekësore edhe pse e kanë diagnostikuar, nuk kanë marrë asnjë masë për kurimin e detyrueshëm të tij.
Në të tilla kushte, bashkëshortja dhe vajza, nën presionin e dhunës psikologjike dhe fyerjeve të vazhdueshme, si dhe dy tentativave për vetëvrasje, janë detyruar të denoncojnë bashkëshortin dhe babain e tyre në polici.
Ka mjaftuar një seancë e shkurtër pyetjesh që si oficerët e policisë gjyqësore, ashtu edhe prokurori i çështjes, të kuptojnë problemet mendore të të pandehurit dhe pas ekspertimit psikik, rezultoi me çrregullimin skizoafektiv.
Thënë me fjalë të tjera, personi në fjalë kryen veprime të paparashikueshme, është i rrezikshëm për shoqërinë dhe njëkohësisht edhe i papërgjegjshëm për veprimet që kryen.
Në këto kushte, gjykata vendosi shtrimin e menjëhershëm të tij në një institucion mjekësor, për kurim të detyrueshëm.
Ky është i disati rast kur familjarët detyrohen t’i drejtohen ose policisë, ose gjykatave, për të afërmit e tyre me probleme mendore, të cilët nuk trajtohen dhe as nuk ndiqen nga institucionet përgjegjëse shëndetësore.
Top Channel