
Kreu i qeverisë Edi Rama inspektoi punimet për Unazën e Pogradecit, një investim prej 9 milionë dollarë që synon të lidhë me standarde moderne këtë aks me rrugën nacionale në Qafë Plloçë.
“Siç e thoni dhe ju vetë, ka 30 vjet që është copë-copë dhe faktikisht ju këtu sikur jeni 100 vjet larg Pogradecit, kështu që është e rëndësishme që kjo filloi. Për ne ka qënë prioritet që në fillim. Problemi është që gjërat duan pak kohë. Tani ka filluar. Për 18 muaj do të mbarojë, do të jetë me të gjitha standardet”, deklaroi Rama.
Pogradeci, me përfundimin e rrugës do të ketë një komunikim më të lehtë me Korçën sa i takon infrastrukturës. Ndërkohë, në Korçë po vijojnë punimet për Parkun Olimpik në periferi të qytetit.
I shoqëruar nga kreu i bashkisë, Sotiraq Filo, kryeministri Rama tha se Parku Olimpik do t’i shërbejë krahas sportit, edhe turizmit.
“Nuk është vetëm pjesa që ka të bëjë me qytetin, me fëmijët dhe me sportistët e qytetit, as pjesa që ka të bëjë me sportistët që mund të vijnë të grumbullohen, qofshin të ekipeve kombëtare dhe skuadrave të tjera të Shqipërisë, ose të vendeve përreth si Greqi e Maqedoni. Kjo për turizmin është fantastike, sepse i jep minimalisht një ditë më shumë familjeve që kanë fëmijë, që ta kalojnë në Korçë një vizitë afatshkurtër dhe për ata që vijnë për më shumë se një fundjavë është një arsye që të thonë, fëmijët kemi ku i çojmë, se është një vend fantastik i vërtetë”, tha Rama.
Po në Korçë, brenda vitit do të ndërtohet edhe qendra polifunksionale ku do të vendosen Bashkia, Galeria e Arteve dhe Biblioteka, me një investim prej 400 milionë lekësh. Kryetari Sotiraq Filo tha se ndërtesa e re do të ketë të ndërthurura arkitekturën e vjetër me teknologjinë.
“Punonjësit nuk do të jenë në zyra, por do të jenë “open hall”, ku qytetarët do të kenë mundësi të shkojnë drejtpërsëdrejti dhe të marrin shërbimet e tyre”, tha Filo.
Top Channel