Restaurimet në Gjirokastër, do certifikohen 68 mjeshtra të rinj

20/05/2017 00:00

Rreth 68 mjeshtra të rinj të punimit të gurit, drurit, metalit dhe suvasë sipas teknikave tradicionale do të certifikohen për restaurime në Gjirokastër, Berat dhe Korçë në fund të këtij viti.

Për herë të parë në 3 dekada, specialistët e vjetër të restaurimeve po trajnojnë në teori dhe praktikë gjeneratën e re të mjeshtrave.

“Qëllimi i këtyre trajnimeve është të transmetohen njohuritë e mjeshtrave të vjetër tek ata të rinj”, ka deklaruar Elena Mamani, nëndrejtoreshë e WHWB.

Agron Haska e ka filluar punën si ndihmës e më pas si restaurues mjeshtër pranë Ndërmarrjes së dikurshme të Restaurimeve, që prej vitit 1968. Ai thotë se profesioni ishte gati duke u zhdukur dhe se ndihet i lumtur që ka mundësi ta përcjellë te mjeshtrat e rinj.

Restauruesi dhe grupi i tij i punës janë duke riparuar pjesë të tavanit të shtëpisë së Eqerem Çabejt në Gjirokastër. Shumë pjesë të kësaj banese mungojnë, ose janë dëmtuar, tregon Haska, por restaurimi do të shpëtojë të gjitha gjurmët e mbetura.

“Kjo është një përvojë shumë e mirë sepse u tregojmë brezave atë që kemi mësuar. Është një kërkesë e domosdoshme, që duhet”, thotë Haska.

Athanas Kovaçi, një nga studentët e kursit tregon se është marrë më parë me ndërtime, por nuk ka ditur asgjë për restaurimin. Në kurs, thotë ai, mësuam si t’i japim rëndësi edhe detajeve dhe si të nxjerrim në dritë trashëgiminë kulturore në objektet ku ndërhyjmë.

“Kam punuar edhe më parë, restauroja tek njerëzit që s’kishin dicka të re që ta zëvendësonin. Një material të vjetër unë mundohesha ta përshtasja dhe kur e përfundoja punën ndihesha mirë”, tregon Kovaçi.

Të gjitha kompanitë e liçensuara për restaurime detyrohen, sipas një marrëveshjeje produkt i këtij programi, të punësojnë mjeshtra të certifikuar prej kësaj shkolle.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA