Përfundojnë punimet në “Shefqet Kuka”, Veliaj: Përfitojnë 20 mijë banorë

20/05/2017 00:00

Gjashtë muaj  pas nisjes së punimeve, 20 mijë banorët e rrugës “Shefqet Kuka” kanë tashmë rrugën e rindërtuar.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në inspektimin e përfundimit të punimeve tha se falë investimeve të tilla është mundësuar transformimi i një zone në të cilën nuk ishte vënë dorë prej vitesh.

“Mbaj mend, jo vetëm në fushatë, po edhe para 6 muajve, kjo ishte një zonë e ngjashme me shumë vende që i kemi parë në dokumentarët për Afrikën. Kur binte shi balta bëhej deri në gju, kur kishte diell pluhuri të zinte fytin. Sot është një situatë krejt tjetër, kemi një rrugë të të gjitha standardeve. Rruga sjell civilizim”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se investime të tilla janë tregues se Bashkia e Tiranës punon me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtën cilësi për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve, si në qendër, ashtu edhe në periferi.

“Me sheshin ‘Skënderbej’ që e hapim në 10 qershor japim sinjalin e parë të një Tirane moderne. Por, nuk kemi lënë pas dore asnjë zonë të periferisë, që cilido që rritet në Tiranë të jetë një fëmijë që rritet në një ambient të pastër, të jetë një familje që ka akses në shërbime dhe të jetë një komunitet ku secili përfiton nga investimet e bashkisë dhe jo siç ndodhte më parë, kur investimet ndaheshin në në varësi si kishin votuar qytetarët”, u shpreh ai.

Duke falenderuar qytetarët për bashkëpunimin në heqjen e pengesave, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje për ruajtjen e investimeve publike si një pasuri e përbashkët.

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës është bërë e mundur ndërhyrja në të gjitha nënshtresat dhe asfaltimi i rrugës “Shefqet Kuka”, e cila ndodhet në Njësinë Administrative 4. Gjithashtu, është punuar për ndërtimin e bordurave si dhe trotuareve, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimin rrugor, si dhe për pajisjen me sinjalistikën e plotë rrugore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA