Gjirokastër, çelet sezoni turistik; evente për tërheqjen e turistëve

20/05/2017 00:00

Gjirokastra ka çelur sezonin e saj turistik, krahas zhvillimit në qytet të “Fustanella Festival”, një event ku kanë marrë pjesë këngëtarë dhe rryma muzikore nga shtete të ndryshme.

Qëllimi i këtij organizimi, sipas ministres së Kulturës Mirela Kumbaro është promovimi i Gjirokastrës dhe mënyra më e mirë për këtë është rijetëzimi i monumenteve të kulturës.

“Ky është modeli se si duam të rijetëzojmë kalanë dhe të nxisim ekonominë në qytet, paralelisht me restaurimin dhe konservimin e pazarit dhe pjesëve të tjera të qytetit, për të krijuar një rrjet kështjellash mes Gjirokastrës, Libohovës dhe Tepelenës e për të vazhduar me Përmetin”, deklaroi Kumbaro.

Kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami tha se sezoni veror i këtij viti gjen të përfunduara disa projekte të rëndësishme që do të ndikojnë në zhvillimin e turizmit, si drejtimi kryesor i ekonomisë për zonën.

“Të arrijmë të krijojmë një turizëm të qëndrueshëm për Gjirokastrën, duke bërë pjesë të zonave turistike edhe zonat rurale të saj, dhe ta promovojmë më shumë Gjirokastrën, që të kemi sa më shumë njerëz gjatë sezonit turistik”, deklaroi Zamira Rami.

Pjesë e organizimeve për sezonin turistik ishte dhe çelja e muzeut etnografik të restauruar. Muzeu, i vendosur në shtëpinë e diktatorit Hoxha, pritet të pasurohet me objekte të reja të traditës etnografike të gjithë luginës.

Deputeti Vangjel Tavo gjatë promovimit premtoi të sjellë karrigen personale të diktatorit, e cila gjendej në ish-shtëpinë e pushimit në Pogradec.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA