
Drejtuesi i ekipit të socialistëve në Kavajë, Arben Ahmetaj hapi fushatën në Rrogozhinë. Ai ritheksoi se PS është e vetmja alternativë për qytetarët.
“Ju e keni ndjekur çdo ditë që ne kemi punuar për ta avancuar reformën në drejtësi, vettingun e famshëm. Ashtu siç kemi këmbëngulur për reformën në drejtësi, ashtu siç e detyruam Lulin të dalë nga çadra e të votojë vettingun, me atë këmbëngulje do të punojmë që të kemi sa më shumë vende pune dhe që të kemi një ekonomi më të mirë. Mos harroni se në 25 qershor kemi shumë për të humbur, prandaj atë ditë nuk do të duhet të humbasim asnjë votë. Do të duhet të mbledhim votat e të gjithë bashkisë së Rrogozhinës në favor të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Edi Ramës kryeministër”, tha Ahmetaj.
Gjatë një takimi me të rinjtë e LRI-së në njësinë numër 5, presidenti i zgjedhur Ilir Meta premtoi motivimin e rinisë për të qëndruar në vendin e tyre për një Shqipëri më të mirë.
“Vendi ka nevojë për qendrueshmëri, për siguri, për besim, për stabiltet, për gjithëpërfshirje dhe për tranzparencë”, tha Meta.
Edhe për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, është LSI ajo që e do Shqipërinë dhe rininë.
“Kryefjala e punës sonë do të jenë të rinjtë. Për herë të parë kemi një program që e përgjysmon menjëherë papunësinë e të rinjve, nga 30% në 15%. LSI mbetet një familje e madhe për të gjithë. Ajo është vetëm forcë e parë”, tha Vasili. Në përfundim të aktivitetit në LSI u anëtarësua edhe aktori Leart Vasili.
Nga Elbasani, drejtuesi politik i PS në këtë qark, Taulant Balla tha se zgjedhjet përkojnë me një ditë të shenjtë për besimtarët myslimanë, që do të sjellë një festë të madhe për socialistët.
“Tre muaj në çadër për të shtyrë me 1 javë zgjedhjet. Por unë jam shumë më i gëzuar, pasi do të kemi 2 festa në një ditë, Bajramin dhe fitoren e Partisë Socialiste”, tha Balla.
Gjatë një takimi me banorë të Beratit, Blendi Klosi, drejtues politik i këtij qarku tha se humbi vetëm një javë nga 18 qershori, por u arrit marrëveshja për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Çfarë i dhamë opozitës? Nuk ndamë pushtet, por i dhamë mundësinë që të kontrollojë që zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme. I dhamë mundësinë të garojë e qetë se zgjedhjet nuk do të jenë të manipuluara, por do t’u oftojnë qytetarve shqiptarë mundësinë të votojnë në mënyrë të lirë dhe të ndershme për forcën politike që ata mendojnë se ka programin më të mirë, organizimin më të mirë, por edhe lidershipin më të mirë dhe kush është kjo forcë? Pa dyshim është Partia Socialiste”, tha Klosi.
Top Channel