Braktiset thekra, fermerët e Korçës: Çmim i ulët në shitje

20/05/2017 00:00

Thekra është një prej prodhimeve bujqësore, të cilat rekomandohen për përdorim të gjerë sa i takon ushqimit, por edhe pse nga specialistët e fushës njihet si një prej ushqimeve më të shëndetshme, fermerët vazhdojnë ta kultivojnë gjithmonë e më pak.

Rajoni i Korçës ka qenë një prej zonave ku ky prodhim kultivohej masivisht, sidomos në zonat kodrinore e malore, por pavarësisht kësaj sipërfaqja vit pas viti është duke u tkurrur. Këtë vit, në gjithë rajonin juglindor janë kultivuar vetëm 500 ha thekër.

“Thekra është një bimë, e cila mbillet kryesisht në zonat malore sepse kërkon sipërfaqe të mëdha dhe rendimenti është i ulët. Në vitet e fundit sipërfaqet kanë rënë pasi fermerët kanë mbiellë prodhime të tjera. Megjithatë në dy vitet e fundit sipërfaqet kanë mbetur thuajse të pandryshueshme”, shprehet Vullnet Gjolla, drejtori i Bujqësisë.

Fermerët tregojnë se shkak për braktisjen e kësaj kulture është tregu i pakët, por edhe çmimi i ulët i shitjes, i cili u lë atyre pak fitim.

“Nuk preferohet pasi nuk ka fitim. Nuk po ka fitim gruri e jo më thekri”, shprehet një qytetar.

Sipas dietologëve, kokrrat e thekrës përmbajnë 8 – 10 % proteina, 70 % amidon dhe 2 % yndyrë. Përmban vitamina të grupit B, minerale si kaliumi, fosfori, fluori, siliciumi, hekur dhe kalcium të cilat rekomandohen për dieta të ndryshme ushqimore, por edhe për personat që vuajnë nga sëmundje si diabeti, etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA