Ekskursionistët bamirës

17/05/2017 00:00

Një grup prej 13 ekskursionistësh nga Yate i Anglisë do t’u ngjiten 3 maleve këtë verë për të financuar disa projekte të fëmijëve jetimë në Shqipëri.

Të gjithë ata janë pjesëtarë të grupit të krishterë “Christ the Rock”, i cili organizon udhëtime të përvitshme në qytetin e Korçës, me qëllimin të ofrojë ndihmë për jetimoren atje, fëmijët e rrugës dhe azilin e pleqve.

Nga data 9 qershor, ekipi do të nisë sfidën e “Tre majave”, siç njihet ndryshe, e cila përfshin ngjitjen në malet më të larta të Anglisë, Skocisë dhe Uellsit brenda 24 orëve.

Një prej nismëtarëve, 43-vjeçari Ian Bright e frekuenton Shqipërinë prej 7 vitesh tashmë, së bashku me të shoqen Karen dhe djemtë e tyre, 11-vjeçarin Jacob dhe 7-vjeçarin Ethan.

Bright shpjegon se puna e misionarit arrin të ketë vërtet ndikim te jetët e njerëzve. “Kemi kohë që shkojmë atje çdo verë dhe ia vlen mundi”, shprehet ai.

“Detyra ime është të organizoj kampe futbolli e turne për fëmijët, financimin e të cilave e sigurojmë me fondet e mbledhura përvit, nga sfida të ngjashme me këtë të fundit”, sqaron ai.

“Pushtimi” i 3 majave është një ngjarje e përdorur rëndom për mbledhje fondesh nga organizatat e bamirësisë. Pjesëmarrësit ngjiten në secilin majë në këmbë, ndërsa nga një mal te tjetri dërgohen me makinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA