Rama në Shkodër: Voltanës do t’i biem rreth

15/05/2017 00:00

Edi Rama ishte në Shkodër ku vijoi takimet me të rinjtë që votojnë për herë të parë. Nga kryeqendra e veriut, ai akuzoi kryetaren demokrate të Bashkisë, Voltana Ademi se ka abuzuar me votën besnike të qytetarëve.

“Voltanës i duket provokim sa herë vij unë këtu në Shkodër. Por në fakt e vërteta është që vetëm kur vij unë në Shkodër Voltana  zgjohet nga  gjumi. Pastaj mora vesh që kishte ngritur një çadër për të penguar këtë takim. Edhe thoshte, “është çadra për ditën ndërkombëtare të familjes”. Shumë mirë! Tani pyetja ime është: Ku është çadra? Çadra nuk është pikërisht sepse ne nuk erdhëm të provokojmë njeri, u spostuam pak dhe dita ndërkombëtare e familjes nuk është më dita ndërkombëtare e familjes. Si shpjegohet kjo? Kështu tallet Voltana me Shkodrën?! Kështu tallet Voltana me njerëzit?! Kështu tallet Voltana edhe me ata që e kanë votuar, se për fat të mirë, unë vetë as se kam votuar dhe se votoj Voltanën. E ju siguroj, ja u them pas asnjë lloj ekzagjerimi, unë kam qenë kryetar bashkie e Voltanën nuk e merrja as për magazinere. Këtu puna është se prej 27 vitesh Partia Demokratike qeveris Shkodrën dhe prej 27 vjetësh merr besimin  e shumicës së shkodranëve dhe shkodraneve si besim i dhënë gratis”, tha Rama.

Kryeministri premtoi investime për turizmin e Shkodrës, të cilat i krahasoi me ato që në kuadër të Rilindjes Urbane janë bërë edhe në Vlorë dhe Himarë.

“Dhe tani po i vijmë rrotull Shkodrës aty ku s’na kap dot Voltana. Dhe unë i them që shumë shpejt, atë transformim të madh që ne po i bëjmë vijës bregdetare të Vlorës, Himarës dhe me radhë, do t’ia bëjmë vijës së liqenit të Shkodrës. Do ta kthejmë liqenin e Shkodrës në një zonë ku të gjithë familjarët, vajza, djem, çifte këtu nga Shkodra apo vizitorë dhe turistë, ta shijojnë të gjithë mrekullinë e asaj zone që është lënë pas dore për çerek shekulli e më shumë nga ata që Shkodrës i marrin votën dhe Shkodra asnjëherë deri sot nuk ia dha si duhet notën. Po ashtu, ne shumë shpejt, brenda pak ditëve më në fund do fillojmë rindërtimin e rrugës Shkodër-Velipojë dhe do ta kthejmë atë rrugë, në një rrugë të vërtetë turistike, jo në një shteg dhish që bëhet i pakalueshëm gjatë sezonit të verës”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA