Përpjekja e fundit, Yee takon Ramën: S’ka paketë amerikane

15/05/2017 00:00

Takimi prej më shumë se një ore i kryeministrit Edi Rama me zv.ndihmës sekretarin Yee ka qënë përgjithësisht takim kortezie.

Yee i cili është në prag të lënies së detyrës, ka falenderuar qeveritë shqiptare për mbështetjen për kauzën e luftëtarëve mek, një çështje e ndjeshme për Uashingtonin.

Burime nga takimi thonë se përtej zërave në disa media, nuk ka një paketë amerikane për zgjidhjen e krizës në Tiranë, përtej asaj që u ofrua nga McAllister.

Zv.ndihmës sekretari Yee sipas burimeve në takim vlerësoi disponibilitetin e qeverisë për të gjetur pika takimi me opozitën, por ndërkohë u njoh me qëndrimin e kryeministrit se tashmë nuk është e mundur as shtyrja e zgjedhjeve disa javë.

Makina elektorale socialiste ka ndezur motorët ditë para 18 majit, e enjte, ditë kur fushata fillon zyrtarisht. Në të njëjtën ditë edhe Kolegji Zgjedhor jep vendimin për kërkesën e opozitës për pavlefshmërinë e afatit të regjistrimit të listave për deputetë nga maxhoranca.

Në një shenjë se kjo është pika e fundit e mbetur pa derdhur nga vota e krizës, Lulzim Basha që takon Yee rreth orës 15.00 të ditës së hënë paralajmëroi sërish gjykatësit për vendimin që duhet të japin.

“Pasi e futi procesin në kolaps ligjor, listat i ka 24 orë me vonesë dhe nëse ia dalin ato burra e gra të Kolegjit Zgjedhor të dalin nga dara e presionit qeveritar dhe nga zhaget që po iu tundin. Nëse jo, faqja e tyre e zezë. Por të presim e të shohim nëse do kenë kurajon dhe integritetin të numërojnë siç numëron çdo shqiptar dhe të deklarojnë se afati ka kaluar dhe 18 qershori është i rrëzuar ligjërisht”, deklaroi këtë të hënë Basha.

Pritshmëritë e takimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit, i cili pas kryeministrit takoi edhe kreun e Kuvendit Ilir Meta, janë kështu të ulëta. Ilir Meta dhe LSI kanë qenë hermetik lidhur me takimin me zyrtarin e lartë amerikan.

Burime nga takimi thonë se presidenti i zgjedhur ka shprehur të njëjtin qëndrim se LSI është e gatshme të bëjë gjithçka për arritjen e një marrëveshjeje dhe futjen e opozitës në zgjedhje.

Por, mesa duket, ndërkombëtarët janë bindur më herët sesa opinioni publik vendas se opozita nuk lëviz nga vendimi i saj për të mos hyrë në zgjedhje.

Zgjedhje që, siç tha dhe Hoyt Brian Yee të dielën nga Budva, për amerikanët do të jenë në çdo rast legjitime.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta