Lufta anti-trafik, sekuestrohen dy skafe

15/05/2017 00:00

Dy skafe, të cilat dyshohet se mund të përdoreshin për trafikimin e lëndëve narkotike drejt Italisë janë bllokuar dhe sekuestruar nga policia e Vlorës në bashkëpunim me policinë kufitare dhe Delta Forcë.

Skafet u zbuluan gjatë operacionit të koduar “Stuhia”, në vijim të kontrolleve të ushtruara nga toka dhe uji kundër trafikimit të lëndëve narkotike.

Si rezultat i këtij operacioni, është bërë i mundur konstatimi dhe bllokimi i dy mjeteve lundruese:
1–  Më datë 15.05.2017, rreth orës 11:00, në lagjen “11 Janari” brenda në një ish-magazinë pranë zonës së quajtur “Pusi i Mezinit”, është konstatuar një mjet lundrues tip “Gomone” me gjatësi 7.8 m dhe gjërësi 2.9 m, me 2 motora të markës “Merkuri” dhe “Suzuki”.

Materialet u referuan në Prokurorinë e Shkallës së Parë Vlorë ndaj shtetasit K.Xh., për veprat penale “Mosdeklarimi i zotërimit dhe mbajtjes” dhe “Mungesa e matrikullimit ose regjistrimit”, parashikuar në nenet 23 dhe 24, pika 1 e ligjit 8663, viti 2000 për mjetet lundruese.

2–  Më datë 15.05.2017, rreth orës 13:00, në zonën e Dhërmiut, rreth 2.5 milje larg bregut të detit, është konstatuar një mjet lundrues tip “Skaf plastik”, me gjatësi 6 m dhe gjërësi 2.1 m, me 1 motor të markës “Yamaha”, i cili u gjet i ndezur por pa persona në bord.

Materialet u referuan në Prokurorinë e Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Mungesa e matrikullimit ose regjistrimit”, neni 24, pika 1 e ligjit 8663, viti 2000 për mjetet lundruese.

Policia e Shtetit bën me dije se vijojnë kontrollet e territorit tokësor dhe ujor me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve përgjegjës në lidhje me këtë veprimtari kriminale.

Top Channel