Gjiknuri në Vlorë: Fitorja e 18 Qershorit do t’i thellojë reformat

15/05/2017 00:00

Drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri ishte në rajonin numër 3 në kuadër të prezantimit të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 18 Qershorit.

Gjatë bashkëbisedimit me mbështetësit e Partisë Socialiste, Gjiknuri u ndal edhe tek qëndrimet e fundit të opozitës dhe vendimi për bojkotin e zgjedhjeve prej tyre.

“Tani Partia Demokratike po thotë, do dalim të komunikojmë me njerëzit dhe ti shpjegojmë bojkotin. Pra, do vijnë në Vlorë tu shpjegojnë ju se përse është më mirë bojkoti dhe pse është më i mirë rrëzimi i kësaj qeverie që ka bërë kaq shumë për Vlorën. Si do jua shpjegojnë qytetarëve këtë?! Ne u themi se jemi të lumtur, hajdeni bujrum na i shpjegoni të mirat e bojkotit. E mira do të ishte të hynit edhe në zgjedhje…..Realisht këtu në Vlorë unë do doja që Partia Demokratike të ishte në garë”, theksoi Gjiknuri.

Më tej, ai nënvizoi rëndësinë që ka fitorja e 18 Qershorit për vazhdimin e reformave shtetndërtuese në Shqipëri.

“Ne këtu në Vlorë por dhe në të gjithë Shqipërinë po e ndjejmë se një shtet i reformave të thella dhe të bërit shtet po jep rezultatet e tij. Këto investime që Vlora si ka marrë ndonjëherë vijnë pikërisht për shkak të reformave. Po të vazhdojmë në këtë rrugë, Shqipëria do të bëhet shumë më e mirë. Jam i bindur se pjesëmarrja e lartë në votime do ti thellojë këto reforma në të mirë të qytetarëve”, u shpreh Gjiknuri.
 
Kryetari i Partisë Socialiste të Vlorës Anduel Tahiraj insistoi se e ardhmja e Shqipërisë është e lidhur ngushtësisht me këtë forcë politike.

“Rajoni 3 është kampioni i votave për Partinë Socialiste. PS udhëheq jetën politike të vendit dhe natyrisht, e ardhmja e rajonit 3, e ardhmja e Shqipërisë dhe e ardhmja e Vlorës janë të lidhura ngushtë me Partinë Socialiste”, tha Tahiraj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA