Fushata, Vasili e Meta thirrje të rinjve; PS ironizon bojkotin

15/05/2017 00:00

Gjatë një takimi me të rinjtë e LRI-së në Fier, kryetari i LSI Petrit Vasili dhe ish-kryetari Meta theksuan se janë të rinjtë ata që do të vulosin fitoren më 18 qershor.

“Na duhen të rinjtë dhe të rejat që Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e Progresit”, deklaroi Meta.

“Në këtë shesh fryn era e fitores. Jemi forca e parë politike më pozitive, më konstruktive që Shqipëria ka parë ndonjëherë. Vota për LSI-në është shans për të gjithë Shqipërinë”, tha Vasili.

Peleshi prezanton projektin e merkatës së re të Korçës

Zv.kryeministri Niko Peleshi prezantoi projektin e merkatës së re të Korçës, konceptuar jo vetëm si një pikë që forcon ekonominë lokale, por edhe si një atraksion turistik në të cilin do të operojnë 170 tregtarë.

“Shumë shpejt do të nisin punimet për markatën e re që do t’i japë një hov të ri ekonomisë lokale të Korçës. Kjo merkatë sjell një koncept të ri, ku trashëgimia industriale ndërthuret me bashkëkohoren”, tha Peleshi.

Gjiknuri në Vlorë: PD, frikë të hyjë në zgjedhje

Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë, drejtuesi politik i PS për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri foli gjatë për bojkotin e opozitës, ndërsa tha se do të donte t’i kishte demokratët përballë më 18 qershor. 

“Tani PD po thotë, do dalim të komunikojmë me njerëzit dhe t’i shpjegojmë bojkotin. Pra, do vijnë në Vlorë t’ju shpjegojnë juve se përse është më mirë bojkoti dhe pse është më i mirë rrëzimi i kësaj qeverie që ka bërë kaq shumë për Vlorën. Ne u themi se jemi të lumtur, hajdeni bujrum na i shpjegoni të mirat e bojkotit. E mira do të ishte të hynit edhe në zgjedhje. Realisht këtu në Vlorë unë do doja që Partia Demokratike të ishte në garë”, tha Gjiknuri.

Balla: 18 qershori, opozitë të re Shqipërisë

Nga njësia administrative Grekan, drejtuesi politik i PS për Elbasanin, Taulant Balla tha se 18 qershori është dita që do të çojë përpara jo vetëm reformën në drejtësi por edhe opozitën e re të vendit.

“Kemi përpara mundësinë t’i japim fund këtyre 25 viteve me një sistem tërësisht të kalbur drejtësie dhe të fillojmë një rrugë të re. Nëse pas 18 qershorit do të ketë diçka të re, unë jam i bindur që do të ketë një opozitë të re dhe ka shumë nevojë që të këtë dhe një PD të re”, tha Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA