Bllokohen 26 tonë mish pule me salmonelë

15/05/2017 00:00

Një sasi prej 26 ton mish pule, e importuar nga Brazili është bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pasi rezultoi e infektuar me salmonele.

Kompania importuese është firma AMG dhe ngarkesa po hynte në territorin shqiptar për t’u shpërndarë më pas në tregje, nga pika kufitare e Durrësit.

Inspektorët e AKU-së në pikën e inspektimit kufitar morën mostrat e ngarkesës për t’i analizuar pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, prej nga edhe rezultoi se mishi ishte i infektuar me salmonelë.

Sasia e ngarkesës vijon të qëndrojë e bllokuar në pikën e inspektimit kufitar të Durrësit dhe do të asgjesohet sipas të gjitha procedurave.

I kontaktuar nga Top Channel, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti tha se po përgatit një urdhër për pezullimin e plotë të mishit të importuar nga Brazili me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga raste të ngjashme.

Top Channel