Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në ditën e 87 të protestës së opozitës, ka deklaruar se “Edi Rama i sheh qytetarët si gurë shahu”.
“Për Ramën, gjithçka është një lojë shahu. E ka thënë vetë këtë. Unë kam thënë që është teatër kukullash, ai thotë lojë shahu. Por, pak rëndësi ka kjo. Ai i sheh qytetarët si gurë shahu. Bashkimi i qytetarëve, hallet e tyre dhe republika e re nuk janë lojë”, tha Basha.
Kreu i PD-së shtoi se “regjistrimi i listave të kandidatëve është bërë jashtë afatit” dhe për këtë arsye, “18 qershori është i rrëzuar ligjërisht”. “Disa parti kishin futur anëtarët e fisit në lista, ndërsa kishte dhe parti që kishin futur edhe kandidatë pa shkollë të mesme. Edi Rama ofron 500 mijë euro për një kryetar partie që të futet në zgjedhje. Narkorepublika dhe narkokryeministri, lekët që hapin vende pune i përdor për lojën e tij të shahut”, deklaroi Basha.
Në fund, Basha përsëriti se “nuk ka për të pasur zgjedhje pa opozitën, nuk ka për të pasur Parlament monist”. Duke iu drejtuar kryeministrit, Basha theksoi: “Mos abuzo me natyrën tonë paqësore dhe europiane! Kemi qenë dhe jemi të bashkuar, kemi qenë të fortë dhe sot jemi akomë më të duruar, kemi qenë të duruar, por sot jemi më të paduruar. Ose zgjedhje të lira e të ndershme, ose nuk ka zgjedhje në Shqipëri”.
Top Channel