Athinë, pranga shqiptarit me 43 kg kanabis

15/05/2017 00:00

Një 32-vjeçar nga Shqipëria është arrestuar nga agjentët e Departamentit të Antidrogës së Athinës në lagjien Eksarqia të kryeqytetit helen.

Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Atikës, 32-vjeçari, duke shfrytëzuar mungesën e autoriteteve policore në lagjien Eksarqia, e kishte kthyer banesën e tij në depo droge, prej nga furnizonte sheshin e narkotikëve në qendër të kryeqytetit.

Mbas verifikimit të informacioneve në rrugë operative, agjentë të veshur civilë mundën të hyjnë në banesë dhe e kapën në flagrancë 32-vjeçarin nga Fieri, emri i të cilit nuk bëhet publik për shkak të hetimeve. Arrestimi i tij u bë në monentin kur po peshonte doza kanabisi për t’i nxjerrë në shitje.

Përveç lëndës narkotike, 43 kg, u sekuestrua edhe peshorja eletronike, si dhe një axhendë me numra telefoni dhe kontakte të shpërndarësve të kanabisit me pakicë. 32-vjeçari u dërgua në Gjykatën e Athinës, e cila e la në burg deri në përfundim të hetimeve.

Top Channel