Dy shtetas shqiptarë kanë shpëtuar për mrekulli nga aksidenti tragjik me një tren të linjës Athinë- Selanik, që ka ndodhur rreth orës 10 të mbrëmjes së të shtunës, në zonën e quajtur “Adhentro” në perëndim të Selanikut.

Treni me rreth 100 pasagjerë ka dalë nga shinat për arsye që ende nuk dihen, e lokomotiva e tij është përplasur me një shtëpi, duke e shembur pjesën më të madhe të saj dhe duke hyrë deri në mesin e saj.

Sipas kryebashkiakut të Halkidhonës, qytezë pranë vendngjarjes, shtëpia u ishte dhënë me qira kohë më parë dy emigrantëve shqiptarë, të cilët kur ka ndodhur përplasja kanë dalë të tmerruar nga pjesa e banesës që nuk është shembur.

Kompania greke e Hekurudhave “Trenose” njoftoi përmes një deklarate për shtyp se, të paktën 4 persona humbën jetën në këtë aksident, por policia dhe organet spitalore kanë konfirmuar fillimisht vetëm dy të vdekur. Nga 7 persona që po trajtohen në spitalet e Selanikut, dy prej tyre janë në gjendje serioze për jetën.

Në orën 2 të mëngjesit të së dielës është konfirmuar se të gjithë pasagjerët që ndodheshin në tren janë nxjerrë nga vagonët e përmbysur që janë përplasur me disa shtylla të linjave elektrike.

Shkaqet e aksidentit tragjik ende nuk dihen, ndërsa ekipe specialistësh të kompanisë së hekurudhave kanë filluar hetimet. Në vendngjarje kanë operuar 21 makina të repartit të zjarrfikësve, me 45 njësi zjarrfikëse, si dhe disa dhjetëra ambulanca.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA