Në hapjen e Javës së Inovacionit, nën moton “Teknologjia është punësim”, personazhe të njohur për publikun treguan se si kanë arritur të kapërcejnë periudha kur jeta e tyre ka qenë si një natë e keqe dhe më pas kanë dalë në dritë falë forcës dhe kurajos së tyre.
“Një nga idetë që kishim në atë kohë ishte që një pjesë e aktivistëve të “Mjaft” të transformoheshin në atë që u bë G99, një listë qytetare. Ishte një situatë ku entuziazmi shkonte përtej arsyes dhe sigurisht që e dreqosëm. Unë humba në Berat me një numër shumë të vogël votash. Në retrospekt mendoj se po të isha fokusuar vetëm aty mund të kisha fituar. Por, pavarësisht si shkoi historia, ishte një nga gjërat që kam dreqosur më keq në jetën time”, tregoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Edhe Gianni De Biasi foli për një periudhë të vështrirë kur vendosi të vinte në Shqipëri për të drejtuar kombëtarën shqiptare të futbollit, ndërsa edhe personazhe të tjerë rrëfyen diçka nga jeta e tyre.
“FuckUp Nights”, emri i aktivitetit ka kuptim metaforik dhe është një lëvizje globale e lindur në vitin 2012 në Meksikë, e cila synon të organizojë netë tematike, ku pjesëmarrësit mund të ndajnë historitë e tyre personale.
Ky aktivitet zhvillohet aktualisht në 50 qytete në të gjithë kontinentet e botës. Ndërkohë, ministrja e Inovacionit, Milena Harito bëri të ditur edhe kalendarin e ngjeshur me aktivitete në kuadër të Javës së Inovacionit.
Top Channel