
Emiliano Shullazi dhe katër të bashkëpandehur me të dolën para gjykatës për t’u gjykuar për nëntë akuzat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
39-vjeçari u shfaq i heshtur dhe ju përgjigj gjykatës pohues për të gjitha kërkesat e avokatit të tij Vladimir Meçe. Si ai vepruan edhe të dyshuarit e tjerë të bërë bashkë jo vetëm për shkak të miqësisë dhe lidhjeve familjare, por edhe për shkak të hetimeve. Brenda ditës u zhvilluan dy seanca, që të dyja të shtyra.
Fillimisht procesi u shty nga mungesa e një gjyqtareje dhe më pas u bë shkak kërkesa e avokatit të Blerim Shullazit.
Mbrojtja e tij kërkoi të njihej me fashikullin e gjykimit, pasi sipas tij, nuk i ishte vendosur në dispozicion. Ndërkohë që avokatët kërkuan t’u vihej në dispozicion edhe fashikulli i dëshmisë së Ylbi Beqajt, përderisa dhënia e dëshmisë së tij pa praninë e të pandehurve është konsideruar sigurim prove.
Me sa duket rrëfimi i dëshmitarit të mbrojtur gjatë tentativave të gjykatës për të patur përballë edhe Shullazin, do të jetë “thembra e Akilit” të këtij gjykimi.
Përderisa nga fundi i janari gjer në prill gjykata nuk mundi të bënte një ballafaqim me të dyja palët, prokuroria e dërgoi dosjen në gjykatë me një dëshmi të marrë të Beqajt duke i përfaqësuar të dyshuarit me avokatë kryesisht.
Nga ky shkak avokatët do të lozin kartën kryesore të tyre, duke kërkuar pavlefshmërinë e dëshmisë së Ylvi Beqajt. Gjykata vendosi për seancën e radhës datën 23 maj, në të cilën do të shprehet edhe për qëndrimin e avokatit të Shullazit, i cili kërkon gjykim të pandërprerë dhe një gjykim të hapur, ku publiku t’i dëgjojë të gjitha.
Top Channel