“Shadow” në Vlorë, në hetim 4 zyrtarë vendorë për mbjelljen e drogës

08/05/2017 00:00

Rreth 30 forca policie janë angazhuar në operacionin “Shadow” të zhvilluar nga policia e Vlorës, Delta Force dhe prokuroria e rrethit.

Si rezultat i kontrolleve në total janë sekuestruar afërsisht 38 kg kanabis dhe janë asgjësuar 339 rrënjë bimë narkotike e këtij lloji.

Gjatë kontrollit të ushtruar në njësinë administrative Kotë, të bashkisë së Selenicës, në vendin e quajtur “Hija e Madhe” në fshatin Lapardha janë evidentuar 9 parcela ku ishin mbjellë 339 rrënjë bimë kanabis sativa. Parcelat ishin tokë publike e pyllëzuar, dhe bimët kishin arritur gjatësinë nga 20 në 100 cm, të cilat u asgjësuan me anë të djegies me zjarr.

Për këtë janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi F.H, 63 vjeç kryetar i njësisë administrative Kotë, A. C, 53 vjeç, kryeplak i fshatit Lapardha, M. H, 52 vjeç dhe B. D, 51 vjeç, inspektori dhe përgjegjësi i inspektorëve të Pyjeve në bashkinë e Selenicës. 

Në vijim të këtij operacioni gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën Kotë-Drashovicë, u bllokua një mjet tip Fiat Panda, i cili u braktis nga drejtuesi. Në brendësi të tij u gjetën 7 paketime të ndryshme të mbështjella me natriban ku në total kishi afërsisht 38 kg kanabis sativa, të cilat u sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Nga hetimet e policisë rezulton se janë përfshirë A. I, 26 vjeç nga Vlora dhe B. A, 30 vjeç nga Kanina. Ata janë shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje narkotikësh kryer në bashkëpunim.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve përgjegjës të implikuar në këto veprimtari kriminale kundër kultivimit, prodhimit apo shitjes së narkotikëve.

Top Channel