Tahiri: Shqipëria bëhet duke garuar me njëri-tjetrin

04/05/2017 00:00

Kreu i PS-së së Tiranës Saimir Tahiri e ka quajtur mjaft të rëndësishme pjesëmarrjen në një garë, duke iu referuar edhe situatës aktuale, duke thënë se ajo është një shans që u jepet qytetarëve që të votojnë më të mirin.

“Shikoni çfarë ndodh në politikë ta kuptoni se si ka ca që duan garë dhe t’i japin shansin qytetarëve të votojnë për më të mirin. Ka ca që nuk duan garë dhe nuk duan fare të futen në votim. Ka ca që nuk duan as zgjedhje. Të paktën ne e dimë që ky vend bëhet duke garuar me njëri-tjetrin. Të paktën ju e dini që njerëz më të mirë në këtë vend  mund të ketë  vetëm duke u bërë bashkë nëpërmjet garës me njëri-tjetrin. Të paktën ne e dimë që ky vend dhe Shqipëria që duam mund të bëhet më e mirë vetëm duke gjetur mundësi për t’u bërë bashkë sa herë ka një vështirësi”, tha Tahiri.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Tiranës foli mbi rëndësinë e votës më 18 qershor, që Tirana të mos bjerë sërish në gjumë sipas tij.

““Nga ana tjetër, di edhe një gjë shumë mirë, që ne edhe mund të humbasim më shumë. Ne mund të humbasim nëse kthehemi mbrapsht, mund të humbasim nëse Tirana shkon në gjumë, mund të humbasim nëse çadra kthehet prapë në Shqipëri dhe e bën ashtu siç e bëri ato vite që sundonte Shqipërinë”, tha kreu i Bashkisë.

Këto deklarata u bënë gjatë hedhjes së shortit për ndeshjet me eleminim direkt të 162 skuadrave të regjistruara në kampionatin e futbollit të FRESSH Tiranë.

Top Channel