A dimë të ecim? Aksidentet, fajtorë edhe këmbësorët…

04/05/2017 00:00

Këmbësorë që kalojnë rrugën aty ku nuk ka vija të bardha, kalimtarë që ecin në korsinë e biçikletave, që nuk respektojnë asnjë semafor, që ecin me telefona në rrugë jashtë trotuareve etj.

Këto janë situata që ndeshen çdo ditë në rrugët e Tiranës, por jo vetëm. Përballë këtyre situatave shpesh edhe policia është e pafuqishme, pasi deri tani më shumë është raportuar për shkeljet e drejtuesve të mjeteve dhe aksidentet që ata kryejnë zakonisht.

Por, a jemi të edukuar ne si këmbësorë për të respektuar sinjalistikën, ose më saktë, a ka ende nga ata që se njohin atë, apo thjesht janë indiferentë…

Të dhënat zyrtare nga policia tregojnë se 71.4% e aksidenteve në vitin 2016 janë shkaktuar shpejtësia e mjeteve tej normave të lejuara, ndërsa 50% e tyre kanë ndodhur nga pakujdesia e këmbësorëve në rrugë. Qytetet me numrin më të madh të aksidenteve janë Tirana me 1429 aksidente dhe Durrësi me 357 të tilla.

Top Channel