Përurohet rruga e Krrabës, Veliaj: Do ulim çmimin e biletës së autobusit

03/05/2017 00:00

Banorët e Kërrabës tani kanë rrugë të asfaltuar çka do t’i mundësojë atyre të vijnë më shpejt në qendër të Tiranës dhe të aksesojnë shërbime që nuk ofrohen në zonën e tyre.

“Tani nuk ka pretekst njeri të thotë: ajo rruga tmerrshme, apo rrugë për gurët e veshkave. Ato 4 km që dukeshin si 400 që nuk mbaronte kurrë, sot u bë realitet”, u shpreh Veliaj.

Vetëm duke u bërë bashkimi i komunave me Tiranën e madhe mund të bëhen investime të tilla, tha Veliaj.

“Arsyeja pse u bë Tiranë e madhe, ishte pikërisht kjo, që vende me pak banorë nuk kishin fuqi ekonomike dhe duke i përfshirë në Tiranën e madhe mund të bëhen investime në Dajt, Zallbastar, Zallherr, të cilat komunat e vogla nuk i bënin dot”, shprehet kreu i bashkisë së Tiranës.

Duke vlerësuar punën e bërë nga administratori i kësaj njësie si dhe deputeti i zonës, Veliaj kërkoi të promovohet sa më shumë kjo zonë në mënyrë që zhvillimi i ekonomisë të ecë me të njëjtën shpejtësi si në qendër dhe në periferi.

“Ajri është i pastër, ambienti po ashtu, të nxiten bizneset apo kush ka mundësi financiare që shtëpinë e dytë ta ndërtojë në Shëngjergj”, tha Veliaj.

Në fund, kryetari i bashkisë së Tiranës u kujtoi banorëve se fati i investimeve është i lidhur me zgjedhjet.

“Nëse ka dyshime zgjedhjet janë shumë të qarta. Një grup agallarësh të çadrës që thonë, ‘aman na sillni edhe një herë në pushtet ta fusim Tiranën në gjumë, ta bllokojmë, ta shkatërrojmë dhe një grup që thonë na jepni dhe njëherë mundësinë të vazhdojmë t’u shërbejmë akoma fort”, tha Veliaj.

Top Channel