
Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta ka përsëritur qëndrimin e tij kundër ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor që u bënë në vitin 2009.
Duke folur në Konventën e LSI për zgjedhjen e kryetarit, Meta ka deklaruar se pikërisht këto ndryshime “të mallkuara” janë bërë shkak i krizave politike që kanë përfshirë vendin më parë dhe së fundmi.
Por, ka shtuar ai, LSI arriti jo vetëm të mbijetojë pavarësisht këtyre padrejtësive, por edhe të kthehet në një faktor kyç për stabilitetin dhe integrimin e vendit.
“LSI ka luajtur një rol kyç në liberalizimin e vizave dhe i vetmi kusht që LSI i vendosi PS për bashkim në koalicion ishte votimi i 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Edhe koalicioni me PD nuk ka qenë i lehtë, por ne jemi krenarë që i kemi qëndruar marrëveshjes. Kur kanë qenë në rrezik marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n, LSI ka vendosur kushte për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë”, ka thënë Meta.
Ai ka shtuar më tej se, në detyrën e tij të re do të jetë një president që do t’i japë përparësi dialogut, në interes të popullit shqiptar.
“Unë dhe LSI jemi përpara sfidave të rëndësishme. Unë duhet të tregoj se pavarësisht bindjeve të mia eurosocialiste nuk ndikohem as nga ato e as nga fakti që kam qenë kryetar i LSI-së”, ka thënë Meta.
Duke folur për pasardhësin e tij në krye të kësaj partie, Meta ka shprehur bindjen se, “me Petrit Vasilin, LSI do ketë atë rezultat që unë kam ëndërruar prej kohësh”, duke iu referuar kthimit të saj në një forcë të parë politike.
Top Channel