
Bashkë me ministren Olta Xhaçka, kryeministri Rama ishte në banesën e një ish-të burgosuri politik në Fushë Krujë, i cili përfitoi kompensimin e plotë për kohën e dënimit.
“Ishim me Berishën, por na doli tradhtar. U futëm në grevë urie për të drejtat tona dhe na quajti “qelbësira”, që nga ai moment jam kundërshtar”, u shpreh Lutfi Kelmendit, ish i burgosur politik.
Kryeministri Rama tha se çështja e kompensimit të ish të burgosurve, ka qenë e rëndësishme për qeverinë, si një çështje morale e shoqërisë dhe jo thjesht për interes elektoral.
“Pavarësisht se rrethanat historike ishin të tilla, që i identifikua Partia Demokratike me të burgosurit politikë dhe Partia Socialiste si pasardhëse e atyre që ndërtuan burgjet, për ne çështja e kompensimit të burgosurve ka qenë e rëndësishme si një çështje morale e shoqërisë, jo si çështje votash apo interesash elektorale. Një nga mëkatet e mëdha të PD dhe të Saliut personalisht, ishte që nuk u morr kurrë seriozisht me këtë çështje e të mendosh që sot jemi 27 vjet pas daljes nga burgjet të atyre që u përndoqën dhe u çuan nëpër burgje dhe akoma diskutojmë këstet e të gjallëve. Kështu që për ne ishte e domosdoshme që të vendosnim pikat në këtë histori. Kush ka dalë nga burgu politik dhe është i gjallë të marrë gjithë dëmshpërblimin e plotë. Ka plot nga ata ish të përndjekur që ikën në botën tjetër pa marrë asgjë. U bë një “çorap” i madh dhe nuk u mor vesh kush mori e kush nuk mori lekët”, tha kryeministri Rama.
Top Channel