Negociata me të vegjlit, ambasadorët takojnë aleatët e PS e PD

28/04/2017 00:00

Takimi me 3 ambasadorët, atë amerikan, europian dhe të OSBE-së, duhej të ishte një takim informues për negociatat me të dërguarit europianë.

Por nuk ka rezultuar kështu. Përfaqësuesit e partive të vogla të opozitës dhe të mazhorancës, kanë bërë përgjegjës ambasadorin e OSBE-së si një nga shkaktarët e thellimit të krizës politike, sepse, siç thonë partitë e vogla, tani OSBE është e gatshme të pranojë disa kërkesa të opozitës për procesin elektronik të zgjedhjeve, ndërsa një vit më parë deklaroi se nuk ka kohë për përmbushjen e tyre.

“Unë i shpreha edhe ambasadorit të OSBE-së se ai është përgjegjësi kryesor për këtë krizë, për vet faktin që ai është shprehur publikisht pasi është shprehur një vit përpara se nuk ka kohë për numërimin elektronik, ndërkohë që sot thonë që ka kohë. Pra, ishte një shprehje e papërgjegjshme e tij” u shpreh kreu i demokristianëve, Nard Ndoka.

Përfaqësuesit e opozitës kishin edhe një kritikë tjetër për atë që e quajtën njëanshmëri të ambasadorit të OSBE në lidhje me zhvillimin e zgjedhje pa opozitën.

Burime nga partitë opozitare në takim thanë se tre ambasadorët kishin qëndrime të ndryshme nga njëri-tjetri, sepse ambasadori amerikan ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës për të afruar opozitën në proces, qoftë edhe me shtyrjen e zgjedhjeve. Por ambasadorja Vlahutin është shprehur kundër. Sipas saj, pas refuzimit të ofertës së mazhorancës nga opozita dhe largimit nga negociatat pa një ofertë tjetër, duhet të respektohen afatet për 18 qershorin.

PD hap letrat

Ky qëndrim i ambasadores së Bashkimit Europian ka nxitur një reagim të Partisë Demokratike, që shprehu keqardhjen për atë që e cilësoi shtrembërim total të së vërtetës dhe fshehje e fakteve nga ambasadorja Vlahutin.

Opozita thotë se qëndrime të tilla qartazi të njëanshme dhe dezinformuese nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj. Duke sqaruar për herë të parë pozicionin e saj të plotë gjatë negociatave. Partia Demokratike tha se pas propozimit për zëvendësimin e 4 ministrave të qeverisë Rama me persona teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve me 16 korrik, opozita paraqiti një propozim me 3 pika.

Që kryeministri i qeverisë teknike të propozohej nga mazhoranca aktuale, që nëse votimi elektronik nuk realizohej deri në tetor, opozita të hiqte dorë prej tij dhe do të pranonte vetëm identifikim biometrik dhe numërim elektronik, si dhe të jepte kontributin e vet në Parlament për Vettingu-n, menjëherë pas formimit të qeverisë teknike.

Këtë pikë të fundit, që është edhe kërkesa kryesore e ndërkombëtare për opozitën, Lulzim Basha e artikuloi edhe gjatë takimit me protestuesit në çadër. Por, për herë të parë, ai nuk e kushtëzoi votimin e Vettingut me rishikimin e ligjeve bazë të reformës në drejtësi.

“Qeveria teknike, si garante e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe që orën e parë të qeverisë teknike, Vettingu që bën sikur e do, por që i trembet si vampiri dritës së diellit”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA