Meta: Besoj tek eksperienca e Berishës. Shtyrja e afateve thellon krizën

28/04/2017 00:00

Në vijim të përgjigjes ndaj interesit të mediave pas zgjedhjes në krye të shtetit, Ilir Meta ka shprehur besimin se kriza politike në vend do të zhbllokohet dhe për këtë ai ka besim tek një figurë kyçe e opozitës, Sali Berisha.

“Ju e dini që ai është dobësia ime. Por besoj tek eksperienca e tij dhe e politikanëve të tjerë tek PD që të kontribuojnë për përmirësimin e kësaj situate”, ka thënë Meta për mediat.

Jashtë sallës së Parlamentit, Meta ka nënvizuar se rrethanat në të cilat u zgjodh president e bëjnë të ndihet i hidhëruar.

“Nuk jam i lumtur sepse rrethanat politike nuk janë ato që do të dëshiroja dhe unë dhe besoj se edhe ky investim i imi dhe mazhorancës aktuale për t’u zgjedhur president synon përmirësimin e këtyre rrethanave dhe krijimin e mundësive më të mira për një klimë më konstruktive lidhur me zgjedhjet e ardhshme dhe për të evituar përshkallëzimin e një ngërçi që tashmë ka nisur”, ka thënë Meta.

Meta ka bërë me dije se, do të kishte preferuar edhe figura të tjera për të votuar për postin e presidentit, por ai u nxit nga kryeministri Rama, me argumentin se shtyrja e afateve do të thellonte krizën.

“Rama prej kohësh ka qenë iniciues i kësaj ideje si president. Zgjedhja e presidentit sot ishte e pashmangshme sepse ka disa afate, shkelja e të cilëve krijon probleme që mund të përshkallëzojnë krizën. Ndaj nuk do të ishte logjike të shkohej në zgjedhje të parakohshme”, ka vijuar Meta.

Më tej ai ka falenderoj presidentin Nishani për mesazhin e urimit, që tregon, sipas tij, përgjegjshmërinë dhe qytetarinë e tij.

“Pasi kemi nevojë për të forcuar dialogun dhe kemi për detyrë t’i jëpim siguri çdo shqiptari, përmes institucioneve më solide e funksionale”, ka shtuar Meta.

Top Channel