Ruçi: Fol Ilir! Kërkon presidentin të premten, ose zgjedhje

27/04/2017 00:00

Kreu parlamentar socialist, Gramoz Ruçi iu drejtua kreut te Kuvendit Ilir Meta me një gjuhë të pazakontë. Zoti Ruci tha se durimi i socialistëve tashmë kishte mbërritur në fund.

“Zgjedhjet do të jenë më 18 qershor, pasi vend për lojëra nuk ka më dhe sigurisht edhe koha për dialog po skadon. Lojëra më 1 milion njerëz që na kanë dhënë besimin ne nuk bëjmë. Të jemi të qartë dhe të gjithë ta kenë shumë të qartë”, deklaroi Kryeministri Rama.
 
Adresa e saktë e këtij mesazhi të Kryeministrit u qartësua disa minuta më vonë nga gramoz Ruçi, kur u dogj edhe seanca e 3-të e zgjedhjes së Presidentit.

“Në emër të grupit parlamentar, por edhe në respekt të opinionit publik duhet të flas troç”, nisi fjalën e tij Ruçi dhe ashtu bëri; mesazhi ishte vetëm për Ilir Metën, i cili mesa duket është vënë përpara zgjedhjes përfundimtare.

“Prandaj ju takon juve zoti kryetar, që jeni vendosur edhe si ndërmjetës midis dy palëve dhe keni kaq kohë që, pse të mos e them se e thashë që në fillim që do flas troç, se keni anuar nga pala tjetër dhe mirë keni bërë për të arritur tek ai pikësynim që kemi patur të gjithë. Do t’ju kërkoja që edhe ju të reflektoni për të mos e mbyllur këtë Parlament me një dështim të tillë të paarsyetuar për hatër të çadrës”, vijoi kreu i grupit parlamentar socialist.

Përpara se të thoshte këtë, Gramoz Ruçi i kujtoi Ilir Metës se në takimin e koalicionit ishte ai që kishte kërkuar mirëkuptimin e socialistëve për të mos e zgjedhur menjëherë Presidentin për t’i dhënë kohë dialogut me opozitën. Por për socialistët, ka nisur numërimi mbrapsht.

“Dialogu ka mbaruar dhe ne duhet të kryejmë funksionet tona kushtetuese, që do të thotë se duhet të zgjedhim Presidentin e vendit nga ky Parlament”, vijoi ai.

Si asnjëherë më parë, edhe pse tha se nuk do ta përdorë, Partia Socialiste tregoi forcën e numrave përballë LSI-së dhe fjala është për numrin magjik qeverisës.

“Sa per dijeni zoti kryetar, ne si socialiste i kemi bërë llogaritë tona që i kemi patur dhe po të duam i kemi 71 vota, edhe pa LSI për ta zgjedhur Presidentin”, deklaroi Ruçi.

Ruçi nuk dha shpjegim sesi i arrijnë socialistët 71 vota pa LSI-në, nëse kanë marrë ndonjë deputet nga LSI apo me deputetë të opozitës. Por kreu i grupit socialist dha vetëm dy zgjidhje për situatën e Presidentit deri të premten.

“Të bëhen jo një, por edhe dy raundet që kanë ngelur dhe ose të zgjedhim Presidentin bashkë, ose të shkojmë në zgjedhje për 45 ditë sipas Kushtetutës”, tha ai.

Ilir Meta i dëgjoi të gjitha, por nuk bëri ndonjë koment, përveç atij të parashikiar nga rregullorja e Parlamentit.

“Faleminderit! Meqë kjo seancë është pa debat, me kaq mbyllet”, tha kryeparlamentari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA